Nuk mund të mos të të ngacmojë qoftë edhe një rresht i vetëm, apo një lajm i vetëm që të kujton se shkolla e vjetër, në Gjombit të Dukatit, është tashmë një gërmadhë gurësh tëdhimbshëm. Nuk mund të jesh indiferent kur dëgjon të flitet për këtë gjë. Në bankat e asaj shkolle kanë kaluar gjithë dukatasit, të paktën deri në brezin e 25 vjeçarëve të sotëm. Ajo godinë modeste, ka qenë syri ynë i parë për të parë dhe njohur botën përreth, në një farë mënyre ajo shkollë ka induktuar fatin e secilit prej nesh më vonë, në rrugën e kërkimit të dijes dhe vlerave të vërteta njerëzore.
Unë jam bijë e atij vendi dhe një nga nxënëset e asaj shkolle në dy vitet e para të saj, e për koeçidencë të fatit, edhe një banore e afërt me shkollën. Aty kam shkruar gërmën e parë, aty kam lexuar fjalën e parë, aty kam mësuar mësimin e parë. Edhe sot, kur më duhet të kaloj para asaj shkolle, sa herë që më duhet të vizitoj tim atë, në Dukat, ndihem vërtetë keq dhe e trishtuar kur shikoj atë pamje. Fëmijëria ime më mbyt me kujtime ato çaste.
E sa e vështirë duhet të jetë për mësuesit tanë fisnikë të asaj shkolle, tek shohin sot ato gërmadha. Mirënjohje pa fund më vjen në mendje për mësuese Ajshenë, mësues Pirron, mësuese Feriden, mësues Hysniun, etj, që me aq përkushtim e dashuri prej prindi rritën, edukuan dhe përcollën sa e sa breza, në rrugët e dijes. Një përkujdesje e tyre, një përkëdhelje, në ato ditë të acarta të të ftohtit të njohur dukatas, të jepte jetë, të ngrohte, aty në ato klasa të thjeshta, ku nga sobat e vjetra lëshohej nxehtësia që përpihej nga ne, nxehtësi e cila lëshonte zili për të ftohtin përtej xhamave. Shumë nga ne të rritur në halle, fukarallëk, të paveshur mirë, ndoshta shpesh edhe të pa ngrenë mirë, por në ato baka ishim të barabartë, në atë shkollë jetonim ditët tona me gëzimin naiv të moshës. Ne ngjiteshim çdo ditë në ato shkallë të drunjta, me gumëzhimë, uleshim në ato stola dhe askush prej nesh nuk e kuptonte dot se sa të rëndësishme dhe vendimtare do ishin ato banka.
Për këtë shpreh edhe njëherë mirënjohje të përjetshme për mësuesit tanë.
Faleminderit me zemër mësuesit tanë të mirë!
Këtë shkollë plot traditë, e para e diturisë për këtë zonë, sot nuk mund ta shijojmë as si vlerë muzeale, e as të çmallemi për ato vite, por nga ana tjetër, as nuk mund ta arkivojmë si mbeturinë e të shkuarës. Kurrën e kurrës. Veshi i autoriteteve vendore të zonës sigurisht që qenka shurdhuar prej shumë e shumë vitesh, për aq kohë sa pamja e sotme e shkollës së kuqe në Gjombit është thjesht imazhi i disa mureve të rrënuar dhe ca shkallëve të jashtme, që kanë rezistuar si shenjë e shpresës se një ditë në to do të ngjitet dikush e të dëgjojë rënkimin e mureve, rënkimin e brezave të arsimuar aty, rënkimin e dijes së nëpërkëmbur.
Si një këmbanë të fortë për vetëdijen shoqërore e politike, do të doja të sillja në vëmendje poezinë e poetit tim më të preferuar, nga Dukati, dukatasin më krenar që kam njohur për origjinën e tij, njeriun e rrallë të dijes e letrave, penën e artë që qëndisi aq poezi e vepra elitë, personazhin më të dashur të gjithë fëmijëve, për shkak të librave të shkruar për ta, shkrimtarit e poetit të mbarëkombëtar Skënder Hasko.
E kush më mirë se ai do ta kishte përshkruar vlerën e rrallë të kësja shkolle dhe brengën e ndier për humbjen e saj, si një prej nxënësve brilant të saj.
Kush na vrau ABC-në?!
(Shkollës së vjetër në Gjombit)
Dikush më tha: “Shkolla u plak,
Edhe ra me gjithë çati”.
E shikoj si i shushatur
Dhe me të unë bëj çudi
“Shkolla s’plaket, ore mik!”
I them unë më nge më nge.
Ajo lindi që të rrojë
Edhe rri gjithmonë e re.
Ajo mbushet me fëmijë,
Si të ishte zgjua blete
Ata gaz e cicërima,
Çdo mëngjes sjellin me vete.
Si nëna që ndan nga gjiri
Sa përcolli në çdo vit?
Ç’djem i fali Shqipërisë
Shkollë e vjetër në Gjombit?
Ndaj bërtas me zë të ngjirur:
Kush e vrau shkollën time,
Që më njohu me Abecenë
Dhe më fali aq gëzime?!
Shkollën tonë kush e braktisi,
Si të ish opingë e grisur?
Kush na vrau Abecenë,
Kush nga mendtë qenka prishur?!
Kush e la që të lëngojë?
Kush e la që të vidhisitet?
Oh ç’më ngec fjala në gojë,
Dhimbja gjoksit më gremiset!
Si i mbyllët sytë o njerëz,
Para tempullit të fshatit?
Si e latë vatrën e dijes,
Nëpër kthetrat e xhelatit?!
Kur t’u pyesin stërnipat”
“Gjyshi im ku ka mësuar?”
A s’ më thoni ç’do t’u thoni?
Nuk do mbeti turpëruar?!
Skënder Hasko




Ska anëtarë që kanë komentuar " Shkolla e vjetër, në Gjombit – Mes krenarisë së djeshme dhe trishtimit të sotëm "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment