Ben Andoni
Ka një gazetë pas vetes dhe shikon që tutje makinat, që i ngjiten me gulç Qafës së Llogora-it. Të rejat fluturojnë, por ato të dikurshmet u shkuleshin zorrët, kur mbërrinin në majë. Shumë, nga ato të paktat që vozisnin aty, as nuk mbërrinin në fakt. I duhet të kalojë kecat përtej, se makinat e këtyre të rinjve nuk mbahen fare. Ti marrin para, ato pako gjëra, e të lënë pa gjë. Kohë e re, tabiate të reja.
Kishin zbritur natën. Të drobitur nga një det i keq, mezi e kishin marrë veten pas momenteve të para, kur kishin prekur steren. Deti i kishte shtyrë tutje. Tejet. Për fat, atje, punët ishin rregulluar. Në stere ishin marrë përsipër të gjitha. Dhe, sekreti i suksesit të ushtrisë romake ishte aftësia e tyre që të adaptonte ushtrinë, armët dhe mbrojtjen e forcave kundërshtare. Centurionët e parë, që kishin zbritur e njihnin mirë vendin…gjuhën. Më pas, nga anijet kishin zbritur të tjerë dhe së fundi legjionet…Kjo ndodhte në brigjet e Palasës…2000 vjet të shkuara…
Në lartësinë e Dukatit
Këtu është qetësi tani. Edhe pse makinat janë shtuar dhe njerëzit e kanë zbuluar Rivierën. Ismailin, 72 vjeç, nga Dukati e gjejmë në këtë meditim ditësor, duke folur me zë, teksa jemi ngjitur afër Kampit të Llogora-it. Ka një fytyrë kuqalane të shëndetshme, duar të forta dhe është i drejtë fizikisht. Mban një xhaketë. Çuditërisht, barinjtë, të gjithë mbajnë xhaketë. Edhe pse dielli djeg ashpër. Poshtë xhaketës, burri ka veshur një këmishë fanellatë me kuadrata. Nuk i heq sytë nga rruga, edhe kur flet, ndërkohë që bagëtia i mblidhet pak e nga pak në një shteg. Është i ngeshëm në muhabet, kur kalojmë barrierat e para. Mban një kapele me siglën e AMC-së, që të duket si shumë e pastër për këtë bari. Për dreq, në vesh, atje ku duhaxhinjtë vendosin cigaren e kismetit, ka vendosur një stik pambuku, të lerosur me një dyll të kuqerremtë. Të rrëngjeth sikleti dhe kur kthehet të më tregojë peizazhin e Dukatit, një vrimë plage e stërmadhe i shquhet e hapur bash në veshin tjetër…Ka muhabet të këndshëm dhe është hazërxhevap për Lajmet e ditës. Rreth tyre bëhet dhe muhabeti ynë. E përditshmja. Më tregon për Luginën e Dukatit dhe fshatin. Me duar dhe me një aksent, që i rrotullohet pak si pakuptim në gojën pa dhëmbë, na tregon sikur të kemi lindur atje. Lugina e Dukatit shtrihet mes Lungarës në lindje dhe malit Rrëza e Kanalit në perëndim, në juglindje ajo arrin deri afër Qafës së Llogora-it kurse në Veriperëndim hapet gjerësisht në gjirin e Vlorës. Gjatësia e saj është rreth 20 kilometra kurse gjerësia, në disa qindra metra, në pjesën e sipërme është me nga 5-7 kilometra deri në pjesën e poshtme bregdetare. Dukati fillon që tutje në det…dhe këtu me bariun, jemi bash në vendet e dukaqiotëve. Sipër lugina ngushtohet shumë, kurse rritet pjerrësia e saj dhe e shpateve që e rrethojnë. “Ne jetojmë. Ndërsa bagëtia është ajo që na mban tash”, më thotë plaku me siguri. I vjetri mundohet të orientohet, por me sa duket, nuk i ecën muhabeti. Pyet për politikë..Ajo i intereson.
Keca, dhën, dhi….këmborë. Bariu ynë ka dhe humor. Por e ka të justifikuar. Falë të vëllait, një ish-funksionar i Ministrisë së Bujqësisë, në fillim të viteve ’90 ka bërë një rrugë Izraeli. “Për çfarë”,-e ngacmojmë. ”Për të mësuar sesi mbilleshin gjërat. Dreq, ata çifutët…”. Plaku ka mbetur i impresionuar nga puna e hebrenjve, dhe kokulur më thotë se… tashmë shqiptarët e kanë të vështirë të punojnë. “Ndërsa me bagëti, këtu kanë bërë gjithmonë. Kështu jemi. Sekush i kullot në vendet e veta. Më të ngeshmit ikin tutje”, thotë me sytë përtej. Në fakt, si plaku, kanë mbetur pak. Pak më tutje, dy të vegjël që kullosin një “grusht bagëti” dhe tek tuk, ata mbeten personazhet e vetme të këtij peizazhi të jashtëzakonshëm. Si ata, nuk janë shumë. Të shpërndarë në të gjithë Llogora-in, barinjtë që vinë nga Dukati, Bregu dhe fshatrat përreth, por edhe më tutje, janë të vetmit qenie humane, që popullojnë këtë vend të virgjër. Kurse turistët thjesht e përshkojnë dhe shkrepin aparatet. “Trapi i Vagjel, Lugu i Gjipogës, Jarikaj…Tokë e varfër(humbet një moment), Vangjeloj, Delaj, Xhelilaj, Bodo, Allushaj”, dëgjojmë plakun që na shpjegon si në jerm fiset e fshatit, ndërsa ne mundohemi të vendosim rend në peizazhin rrotull. Prurjet e ngurta (zallore) të përroit të Dukatit e kanë mbathur këtë skaj të gjirit dhe kanë krijuar lagunën e Pashalimanit ( e Dukatit) e cila mbyllet me një rrip zallor me lidhje të dobët me detin…Plaku bashkë me plakën e tij kanë pensione jo të këqija për fshatin. Atij i ka rënë 5.000 lek, ndërsa plakës 3.500 lek. Kanë marrë tokën, që e mbjellin me foragjere. Ka një lopë dhe 20 keca dhe me këto bën jetën e përditshme. E thotë me trishtim se të rinjtë nuk punojnë. Ai i ka dhe jashtë vendit, ndaj e kuptoj pak rebusin e tij të mbijetesës dhe qetësinë e muhabetit. A të ndihmojnë-e pyesim? “Është budallallëk me brirë që të presësh prej të rinjve”, sqaron pa kthyer kokën bash në vendin e plagës…Nuk ia ka ngenë kohës sonë plaku dhe pas një farë kohe mërzitet…Na kërkon të ikë dhe pa ndërruar gjë ikën…tutje. E kemi mërzitur me pyetje. Fshihet në një bokërrimë. E lemë dhe në.![]()
Nëpër Llogora
Sapo e braktisim plakun, makina bën të ngjitet pa ndalim Parkut pyjor të Llogora-it, që shtrihet në shpatin verior të Qafës me të njëjtin emër. Në lartësinë e saj ke një ndjenjë si hyjnore. Në lartësinë 400-1300 metra mbi nivelin e detit ai zë një sipërfaqe prej 1040ha dhe të hapet në skajin e fundit me një horizont të gjerë drejt hapësirave të Detit Jon. Vetëm nga kjo Qafë mund të futet brenda një vështrimi e gjithë hapësira mahnitëse e Rivierës. Bash në këtë vend, ku kullosin të patrazuar disa bagëti pa zot, midis burimeve të shumta karstike, ekziston një fshat turistik, i cili frekuentohet, gati në të gjithë muajt e vitit. Pastaj errësirë, ku vetëm kulmet e pemëve të larta mund të shijojnë Diellin veror. Teksa kapim pjesën e sipërme të Luginës, në lartësinë 800-1000 në faqen veriore të Llogora-it, aty shquajmë dhe pyllin e madh të halorëve, që i jep aq sublimitet vendit. Pisha e zezë përbën masën kryesore të drurëve, bredhi, tisi, dëllinja e butë dhe rrobulli. Bushi, që rritet si shkurre e ulët etj., janë mrekullia e këtij vendi, që gjithsesi, nuk i ka shpëtuar dorës së barinjve të këqinj. Ata i kanë vënë zjarrin shpesh dhe vjet u dogj një masiv bajagi i madh. Për fat kanë shpëtuar, të ashtëquajturat monumente kulture, të tilla si “Pisha Flamur” dhe pemë të tjera si ajo për të legjitimuar rëndësinë e vendit.
Kur kalon Qafën
Ata i shikojmë nga larg. Shikojnë pa përcaktim drejt detit. Njëri prej tyre duket se është një djalë i urtë. I ka shpërndarë dhitë, sapo e kalon Qafën. Bashkë me të është dhe një i dytë, njësoj i qetë. U kanë mbaruar fjalët ndër këto male. Janë simpatikë, por ca si shumë të palarë. “Nga vjen”- e pyesim atë që mban një si dru të madh në dorë. “Tutje”, më thotë. “Si tutje?” “Tutje. Ç’të hyn në punë ty?” “Ke shkuar në shkollë?” “Punë për mua”…”Nga je?” “Nga Dukati”. “Nuk na dukesh andej”, i themi…Tjetri është më i muhabetit, por edhe më poet. E shikon me sy të mbyllur rrezen e malit, që i duket si një çati dhe është shtrirë nën hijen, që bën një gur i stërmadh. Në fakt ky kulm, ta jep më së miri konfigurimin e vendit. Pak minuta më vonë, jemi miqësuar me ta, ndërsa na bëhen “të zakonshme” edhe dhitë me një erë të padurueshme, që lëshojnë kudo dhe që e mbysin erën e pastër që vjen nga deti. Ato vetë qëndrojnë të patrazuara. Djali me drurin në dorë flet pak. Më tregon sesi marrin me këmbë malin, shtigjet. Si orientohet mes tyre. Duhet të rendësh sipas tij. Duhet të rendësh gjithmonë. Edhe, pse vetë ata pushojnë. “Edhe gjyshi me bastun rend, sepse po nuk rende në fshat- të merr dreqi”. E duan fshatin, edhe pse ai nuk u jep asgjë. “Dikur, kishte mirësi më ka treguar gjyshi,- më thotë një nga djemtë që mbahet si tepër i muhabetit”. Pleqtë vinin ledhe dhe gracka për të kapur dhelprat, qe i hanin pulat. Kishte dikur shumë kafshë të egra, që pleqtë thonë se janë shtuar sërish, ndërsa ata pjekim misra, kur burrat përgatisnin hellet për të vendosur qingjat. Pastaj tresin mishin e pjekur me ujin e kulluar të Aliçanit. Si balli i kazanit, kujtoj një dukaqiot që i bën ojna vendit të tij. Djemtë e kanë lënë bagëtinë. “Janë si njerëzit e dinë se ku shkojnë, -thotë ai më i muhabetit. I ruajmë vetëm nga ndonjë e papritur”. Nuk janë të veshur mirë, por të ishin pak më të larë do të ishin bajagi shumë simpatikë. Më tregojnë për burrat, gratë, për pemët e fshatit, që u kanë vënë emra. Janë të rinj t’i pyes për diçka. Kam dëgjuar se vajzave të reja nuk u lejohej të hipnin mbi kafshët e barrës, sepse mund të binin dhe të humbnin virgjërinë. E pastaj ndodhte katrahura. Djemtë më afrojnë pak djath, ndërsa njeri prej tyre, më jep pak bukë të fortë gruri. E prekim pak. Nuk dua më shumë. Më duket se u marr diçka, që nuk më takon. Miqësia e tyre është e këndshme. Ne u kemi vënë emra, më thotë njëri prej tyre, ndoshta 13 vjeçar. Edhe pemët kanë emra këtej. Duhet që të mos humbasin. Sepse banorët e Llogora-it janë mësuar me shumë hapësirë. Jo më kot, shtëpitë e mëdha në fshatra, e kanë zakon, që të vendosin shumë pjata, pirunjë dhe lugë. Përfytyrojnë se do vinë njerëz…do i kërkojnë. Më duket e tepërt që të largohem prej djemve, ndërsa dielli është bërë më i ashpër. Poshtë nesh deti i paanë.
Këta janë banorët e Llogora-it. Të egër deri në ashpërsi dhe të dashur deri në pafundësi. Djemtë më tregojnë sesi mblidhen, si këndojnë dhe çfarë kanë qejf të shohin në televizor. Të pyesin shumë për Tiranën. I kujtoj të vjetërit e tyre, që pastaj në gosti thumbojnë njëri-tjetrin dhe pinë pa fund. O Zot, sa pihet në këtë vend. Këtu pihet për të vdekur, më kujtohen fjalët e një pijetari kryeqytetas, që nuk ia kishte dalë dot t’i mposhte. Por në trapezët e mëdha pastaj flitet për bëmat, dhe më shumë të zgjuarit e fshatit. Në fakt, fatin e tyre do e ëndërronin bashkëmoshatarët e tyre romantikë, që të kesh Lindjen e diellit sipër shtëpisë, ndërsa të këqyrësh perëndimin tutje në det. Ndërsa, ata, edhe pak dhe do emigrojnë. Nuk ia vlen më të qëndrojnë në këtë vend. Në metropolet, ku ëndërrojnë të shkojnë, lindja e diellit është luks. Perëndimi ëndërr. Ikim.
Pa bar
Për kilometra të tërë në zbritje thatësirë. Askund bari. Të duket për një hop, sikur një nga episodet e udhëtimit të Odiseut, të ketë ndodhur këtu. Pastaj bagëti të patrazuara. Nuk kanë frikë. Dhi krenare të shikojnë fodulle që andej…Era e llahtarshme e tyre mban larg gjithkënd. Pak këmborë…dhe zhuritje. Kjo ndodh gati 1000 metra mbi nivelin e detit, kur sapo lë pas e më pas Qafën e Llogora-it. Nga poshtë, tutje janë të ashtuquajturat “Rrugët e bardha”, që i ngjiten si atëherë me shpejtësi malit…Po. Je në venomet e barinjve të Llogora-it. Tutje, në këmbët e malit, sërish deti i paanë. Riviera shqiptare, për fat e virgjër…prej largësisë, prej egërsisë. 1 kilometra më andej, në vijë ajrore, një bari i vogël, po kullot delet…Në gjithë këtë hapësirë për fat nuk dallon gardhe as tela. Pronat, vendasit, i kanë ndarë me njëri-tjetrin. Secili e di se ku i bien kokrrat e ullirit të tij, dhe nuk e cënon kurrherë pronën, apo pasurinë e fqinjit. Se kështu kanë jetuar. Brez pas brezi, banorët e këtyre anëve kanë respektuar punën, bashkëpunimin dhe bashkësinë. Pronat e trashëguara kanë qenë të shenjta dhe janë mbrojtur me trimëri. Epilogu ka qenë gjithmonë gjaku. Të moshuarit tregojnë se kanë bërë luftë për të caktuar kufijtë në Llogara në fshatin e Dukatit. Por, djalit të vogël, që i jemi afruar ka pak të ngjarë ti di këto. Vetëm pohon. Mban një bluzë sporti me emrin e Ronaldos dhe e shikoj se e ka të vështirë të artikuloj. Ka “frikë” nga njerëzit…Është vetëm ai dhe bagëtia…Dhe thatësira e madhe, që nuk e ngop uji i malit dhe i qiellit.
Një dele më një këmborë të madhe është e para që na del nga grumbulli. Djali i flet me emër. I përkëdhel. Është një tjetër njeri tani. Bari. Ka pak solemnitet në mënyrën sesi flet me bagëtinë. Si i shikon. “…Ajo ka qenë sëmurë”, më thotë për një dele. E pyes për “Rrugët e Bardha”. Nuk di gjë. “E ke fjalën për rrugën ku kalojnë delet”,-e nget muhabetin. 14 vjeçari as vetë nuk e di si gjendet aty. Por, e kanë sjellë nga tutje. Nga shumë larg. I duhet të zëvendësojë vendin, që nuk ka më fëmijë, nuk ka burra, nuk ka gra. Ka vetëm pleq, gërmadha dhe boshësi.
Dhe Rrugët e Bardha
Në këtë vend është i njohur veçanërisht përroi me emrin “Rrugët e Bardha” ose përroi i Thatë, që zbret nga faqja perëndimore e Majës së Çikës. Ai kalon përgjatë rrëzës jugore të Qafës së Llogorasë dhe derdhet me rrëmbim në det, ku formon një kon të madh depozitimi, që është më i rëndësishmi dhe më madhështori i të gjithë bregut Adriatiko-Jonik.
Përmes saj, të udhëhequr nga barinjtë vendas, trupat romake u nisën për të pushtuar Orikumin.“Rrugët e Bardha”, “Rëra e Artë”, bashkë me shumë e shumë thesare që fsheh natyra në këto anë përbëjnë një pasuri të pallogaritshme, të cilën banorët e Himarës e kanë mbrojtur dhe e kanë pasuruar. Duket se mosardhja e njerëzve, infrastruktura e stërkeqe, e ka ruajtur të pastër vendin e tyre, rërën dhe plazhet. Kur erdhën vitet e fundit
Arritën që t’i bëjnë çorap të gjitha. Ndaj, ata u ka mbetur që të bashkëjetojnë të vetëm me natyrën dhe me vendin e tyre, me aleatët e tyre të përjetshëm. Ata nuk e mendonin kurrë se dikush do të vinte të vidhte rërën e tyre, as që do të vinte dita që mbi të të ndërtoheshin kasolle e kioska, hotele demode, konake të shëmtuar. Apo se bagëtinë do tu’a ruanin njerëzit që vinin nga larg, që ata dikur as nuk i pranonin. Djaloshi ka ardhur nga shumë larg. Nuk ka histori. Historia e tij fillon që këtu. Ndanë “Rrugëve të Bardha”. Që e morën emrin atë natë kur Jul Cezari shkeli në këto anë. Ato nisin në këmbët e maleve të Vetëtimës, përshkojnë një pllajë me anë të fushës së Palasës për të mbaruar pastaj në buzë të detit Jon. Nisin nga një pikë imagjinare pastaj degëzohen duke u zgjeruar në drejtim të detit. Të ngushta, gjarpëroshe, nuk e humbasin asnjëherë ngjyrën e tyre, duke përjetësuar një enigmë, e cila nuk dihet se ku e ka rrënjën e saj. Bariu i vogël trembet më pas. Kanë ardhur disa syresh si ai nga veriu, sepse vendasit ikin. Të vjetërit poshtë qiparisave, të rinjtë përtej detit. Ikin. Gjithmonë ikin.
Ndryshe nga shumë ushtri të asaj kohe, ushtarët e hershëm romakë udhëhiqeshin nga një nder i madh, që kishte të bënte me marrjen e hakut për shkatërrimin e Romës më 390 Para Krishtit. Ata donin ta shikonin Perandorinë që të mos mundej më kurrë. Me këtë frymë u ngjitën atë natë me barinjtë legjendarë të Llogora-it…Ishte natë. Ftohtë. Plakun në muzg e gjejmë që është duke u fjalosur me një bashkëfshatar. Anash kanë një gazetë dhe duket qartë se kush është shkaku i fjalosjes së tyre.
Natë dhe fresk në verën e vitit 2008.
Materiali i konsultuar nga Gjeografia Fizike e Shqipërisë




Ska anëtarë që kanë komentuar " Barinjtë e Llogorasë… "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment