Qindra hektarë me pyje në Vlorë u përfshinë dje nga zjarri, ndërsa mijëra banorë u evakuuan, pasi flakët mbërritën deri tek banesat e tyre. Situata alarmante që preku zonat turistike, vuri në lëvizje gjithë strukturat e mundshme, ndërsa familjet vendase e turistët e terrorizuar vrapuan për të shpëtuar nga flakët dhe asfiksia nga tymi. Si pasojë e zjarrit të papritur në kodrat e Orikumit dhe në fshatin Dukat në Vlorë, pati edhe të lënduar, ndërkohë që disa banesa u dëmtuan. Gjendje paniku ka qenë gjatë gjithë ditës së djeshme edhe në Fier dhe Lushnjë. Në fshatin Darëzezë, pranë Semanit si dhe zonat e tjera, rreth 5000 banorë lanë shtëpitë e tyre dhe vrapuan për të shpëtuar kokën. Zjarri ka vijuar deri në orët e mbrëmjes, duke vënë nën forcën e tij disa shtëpi e hotele. Ndërsa në plazhin e Semanit, pushues të terrorizuar vraponin për të shkuar sa më larg zonës së zjarrit, duke lënë në çadra gjithçka kishin me vete. Paniku ka zgjatur me orë të tëra, derisa repartet e zjarrfikëseve të ndihmuar edhe nga forcat e policisë e ushtrisë, por edhe banorë të zonave ku ranë zjarret mundën të vinin situatën nën kontroll. Në orët e vona të natës, situata paraqitej disi më e normalizuar, megjithëse disa vatra zjarri sërish paraqisnin rrezikshmëri.
Vlorë
Qyteza e Orikumit në Vlorë si dhe një pjesë e fshatit Dukat përjetuan dje një situatë alarmante dhe paniku. Rreth orës 12:00 në fushën e Dukatit, brenda pak minutash flakët u shpërndanë pothuaj në të gjitha drejtimet. E favorizuar dhe nga era dhe temperaturat që arrinin në 40 gradë, shumë shpejt flakët përfshinë edhe kodrat e Orikumit. Në Fushë-Dukat flakët përpinë mbi 300 hektarë, 12 banesa rrezikuan të digjeshin dhe dy prej tyre u dogjën pjesërisht. Banorët e Dukatit luftuan me flakët që u kishin rrethuar shtëpitë, pasi larguan më parë fëmijët dhe të moshuarit nga fshati. Gjatë operacionit mbetën të asfiksuar dy banorë, ndërsa një tjetër u plagos në zonën e Orikumit. Në pjesën e sipërme të qytezës zjarri shkrumboi kullota të tëra, stane, toka të mbjella, vreshta si dhe drurë frutorë. Rreth 250 hektarë u shkrumbuan në Orikum, ndërsa një banesë u dëmtua. Banorët pohuan se, fillimisht kishin parë disa vatra të vogla, por papritur flakët u përhapën me shpejtësi. Fëmijët dhe gratë ishin në panik për situatën e krijuar, teksa shihnin flakët që u afroheshin banesave të tyre. Ata u evakuuan duke marrë me vete edhe të moshuarit. Në këtë zonë, sipas policisë 60 banesa u rrezikuan. Zjarrfikësve iu bashkuan edhe forca të ushtrisë dhe policisë. Me mjete rrethanore si lopata, shkurre dhe ujë ata luftuan me orë të tëra me flakët. Pjesë e grupeve të shpëtimit madje u bënë edhe turistë, që kishin ardhur në Orikum për pushime duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Rreth orës 16:00 u dëmtua edhe një fabrikë uji në Dukat, ndonëse jo në përmasa të mëdha. Pasdite iu shtua forcave për shuarjen e zjarrit dhe reparti ushtarak i Pashalimanit. Sipas hetimeve, vendosja e zjarrit është e qëllimshme. Policia ndaloi një 75-vjeçar, në Dukat, ndërsa janë dhe disa të tjerë të dyshuar për zjarrvënie.
Marre nga gazeta “Panorama”





Ska anëtarë që kanë komentuar " Dukati perfshihet nga zjarri "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment