Shkruar nga Halo Abazi *
Para disa kohësh në shtyp, në shkrimet shtrembëruese, mohuese, ironizuese të radhës, me, me gërma kapitale lakohej e ironizohej edhe emri i nderuar i të ndjerit Meno Gjoleka (ish-themelues e kryetar i Partisë Agrare Shqiptare (PASH); kryetar nderi deri në fund të jetës, i dekoruar dhe i nderuar dhe me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut-Vlorë”. Fjala ishte se gjoja edhe Menoja qenka futur në politikë si “mbrojtës i zjarrtë i Ramiz Alisë!” Se gjoja e paska “emëruar” edhe në krye të Partisë Agrare “Ambietaliste” duke i “aprovuar” edhe programin me tezat “politiko—ekologjiste”, “ambientaliste”, “të jeshil japrakut”. Se këto teza “i paskan shërbyer dje” qëllimit për të “shmangur thelbin anti-komunist “të partive…, kurse sot “i shërbekan “frymëzimit të ambientalistëve të Vlorës “kundër “Parkut energjetik”. Së pari, Partia e Meno Gjolekës quhej Partia Agrare Shqiptare (dhe jo ambientaliste), me identitetin e plotë “Parti opozitare e pavarur e qendrës, me programin dhe gazetën serioze opozitare “Progresi Agrar”, përfaqësuese e interesave të fshatarësisë së vogël dhe të mesme.
Përgjigjja ime nuk ka të bëjë me përfaqësuesit besnikë të mllefit dhe urrejtjes partiake, që nuk kanë lënë deri sot pa prekur, baltosur e nxirë të gjallë e të vdekur, heronj e dëshmorë dhe familjet e tyre, intektualë e personalitete, njerëz të nderuar e të ekuilibruar; vetëm e vetëm se nuk i kanë shkuar për shtat partive që përfaqësojnë… Edhe anti-komunistët më të flaktë i kanë quajtur “komunistë”, kurse komunistët më besnikë (kur kanë ndryshuar ngjyrë, i kanë quajtur “anti-komunistë të flaktë”?! Meno Gjoleka si atdhetar dhe shkencëtar i mirëfilltë (po kurrë komunist); qe qysh në auditorët studentore (1962-‘67) e deri në 1990, kishte ëndërruar demokracinë e vërtetë dhe kishte shfaqur hapur ide liberale (kur të tjerët heshtnin); që i priti me shpresë të madhe ndryshimet demokratike, s’kishte si të ishte “mbrojtës i zjarrtë” i Ramiz Alisë?!
Meno Gjoleka ishte ndër të parët intelektualë që përshëndeti pr. Ylli Popën për shkëndijën e shkrimit të njohur “të bujshëm, të guximshëm e bombastik në “Zërin e Popullit” në maj 1990, “Në kërkim të kohës së humbur”. Në letrën e përshëndetjes ai e fton Profesorin për një takim me inteligjencën e Vlorës dhe e mbyll letrën me fjalët e Migjenit të madh: Ka ardhur një kohë kur njerëzit po kuptohen fare mirë për me nderte “Kullën e Babilonit” dhe në majë kanë me thirrë “PERËNDI ku je? (shih letrën 25.5.1990 — Meno Gjoleka)
Meno Gjoleka ishte ndër të parët e të rrallët, që pati kritikuar fillimisht (qysh në programin minimal të PD, dhjetor 1990, ku thuhej: “Ajo -(PD) krijohet për të nxitur më tej nismat e Ramiz Alisë, për zhvillimet demokratike në Shqipëri. (kur dhe Ramiz Alia ishte zhytur në krimet e komunizmit??? (M.GJ) (Sipas intervistës së Meno Gjolekës dhënë gazetarit të “Koha Jonë”, Agron Tozaj). Për sa i përket krijimit të Partisë Agrare (më 4.1.1991) në Vlorë. Menoja ishte nga të paktët intelektualë në rrethe (veç Tiranës) që një grup intelektualësh vlonjatë të bujqësisë i propozoi atij të vihej në krye të Partisë Agrare. Motivi ishte: “Pse dhe fshatarësia e bujqësia që përbënte 70% të popullsisë dhe ekonomisë tani në kushtet e pluralizmit të mos kishin një parti të tyre, që të përfaqësonte dhe të mbronte interesat e tyre?! Por problemi ishte se kush në të vërtetë mund të udhëhiqte këtë parti të perspektivës së madhe?! Duhej një person me vizion të thellë shkencor dhe qartësi politike, i ekuilibruar dhe me reputacion gjithëpopullor, që të njihte mirë rrugët e zhvillimit bashkëkohor.
Të gjithë në unison ishin për intelektualin dhe shkencëtarin e kudo njohur, agronomin Dr. Meno Gjoleka. Por vetë Menoja e kundërshtoi kandidaturën e tij për dy arsye: E shikonte me vend që iniciativën për krijimin e Partisë Agrare mund ta merrnin vetëm 4000 studentë dhe intelektualë të Institutit Bujqësor në Tiranë. Përveç, – thoshte Menoja, - unë me ide jam Fanolist dhe për mua partia dhe politika janë Atdheu dhe Kombi; nuk kam dashur dhe nuk dua të përfshihem në “korniza” partish politike. Unë iu premtoj, - tha ai, - se kushdo zgjidhet kryetar do ta ndihmoj seriozisht për hartimin e një programi shkencor agrar bashkëkohor i përshtatur kushteve konkrete, psikologjisë së fshatarit shqiptar dhe nevojave të zhvillimit të shpejtë.
Por këmbëngulja e masës duke u përfshirë dhe Instituti Kombëtar i Kërkimeve Shkencore të Pemëtarisë dhe Ullirit me qendër në Vlorë, e bëri Menon ta pranojë propozimin. Menoja njihej dhe për debatet e forta që kish pasur në Vlorë me Gramoz Pashkon për teorinë e “terapisë shok”, “teorinë 0”, që nuk mund të zbatoheshin në kushtet e Shqipërisë e të psikologjisë së shqiptarëve. “Unë nuk mund të jem në anën e atyre (qoftë majtas ose djathtas), që shkaktojnë anarki, shkatërrim, përçarje dhe urrejtje në popull për kapriço sektare partish”, deklaronte ai. Me zgjedhjen në krye të Partisë Agrare, Meno Gjoleka e ndiente jashtë zakonisht shumë përgjegjësinë e madhe që kishte ai dhe Partia e re Agrare (PASH), përballë fshatit dhe fshatarësisë shqiptare, që sapo kishte dalë nga sistemi diktatorial i zhveshur krejtësisht nga prona dhe toka.
Çështja e tokës është “një lëmsh i madh, i ngatërruar”-kështu e parafytyronte Menua, që kishte punuar mbi 30 vjet nëpër kooperativa bujqësore dhe ferma shtetërore; njihte mirë psikologjinë e fshatarit dhe të shtetit në raport me pronën (ishte një fushë e minuar), që kërkonte dijeni, eksperiencë, kulturë, maturi, tolerancë përballë remineshencave partiake të “së kaluarës” dhe ekstremizmave “të së sotmes”. Në këtë konteks Menoja u përpoq të përfitonte sa më shumë nga pluralizmi i ideve dhe hapja me botën, për të përfituar nga përvoja botërore e politikave agrare të vendeve të përparuara perëndimore sidomos ato mesdhetare-anëtare të BE.
Këtij qëllimi i shërbeu një vizitë 10-ditore në Greqi edhe për arsye të kushteve të përafërta gjeoklimatike–topografike-tokësore (i vetmi vend ballkanik në atë kohë anëtar i BE), por e tërhiqte edhe vendi i Çamërisë. Menoja futi në delegacionin e tij të ngushtë edhe specialistin me shumë përvojë palasikotin Llambro Billa (ish-sekretar i Përgjithshëm i Partisë Agrare) që ishte dhe “shofer” dhe këshilltar i zoti e korrekt, por dhe përkthyes e ciceron. Menoja si njeri tepër korrekt me ligjet dhe moralin nuk i ktheu kurrë vizitat që bënte në emër të Partisë Agrare në vizita “turistike”, familjare (si bënin e po bëjnë dhe sot rëndom shumë kryetarë partish! Ato ishin të gjitha vizita serioze.
I vunë rëndësi edhe përkthimit të plotë të ligjit të posaçëm të Parlamentit grek me 78 nene “mbi krijimin e kolektivave vullnetare fshatare kapitaliste”, bazuar tërësisht mbi të drejtën e pronës dhe interesit privat, marrëdhëniet me shtetin etj. Kjo përvojë i shërbeu diskutimit të gjerë demokratik dhe zbatimit në kushtet konkrete të Shqipërisë. Sidomos “paketës ligjore” të fshatit-propozuar nga Partia Agrare, ku parashikohej-Privatizimi total i tokës bujqësore dhe shpërndarja sipas frymëve nga një “komision ligjor i Pleqësisë” për çdo fshat, që do caktonte dhe kufijtë e çdo familjeje me “rekomandimin” që secili të merrte pronën dhe truallin ku e kishte pasur dhe të përjashtohej për 3-5 vjetët e para nga taksat, ishte gjithashtu për diskutimin e mëtejshëm të Ligjit 7501.
Detyra e Partisë Agrare urgjente ishte: Propagandimi i “barrikadave” kundër ekstremizmave të djathta e të majta, frenimi i “anarkisë”, shkatërrimit, grabitjes, shpërndarja e barabartë dhe me drejtësi e pasurisë kombëtare, rikonstruktimi i fshatrave, mbështetja në ndihma sociale, fonde, subvecione, mekanizime, mbrojtje shtetërore. Ky program i shërbeu Partisë Agrare dhe për fushatën elektorale për Parlamentin e parë Pluralist 1991, ku Partia Agrare përzgjodhi 35 kandidatura (asnjë ish-komunist). Një ndihmë të madhe propagandistike dha sidomos gazeta opozitare “Progresi agrar”.
Në zgjedhjet e para pluraliste në mars 1991, që shumicën në Parlament e fitoi PPSH, Partia si parti e ekuilibruar e qendrës nuk mundi të futej në Parlament. Por as në Parlamentin e 1992 (pas zgjedhjeve të parakohshme) kur shumicën parlamentare e mori PD. Kjo gjë ishte shumë e lexueshme edhe nga populli, sepse politikanët shqiptarë edhe sot e këtë ditë vuajnë nga kompleksi “O me ne o kundër nesh”. Menoja si intelektual dhe shkencëtar disident, e opozitar i vërtetë mundi të vlerësohej vetëm në momentin e asaj të “famshmes krizë “të vitit 1992, kur Menoja u ofrua si anëtar e teknicien i zoti në kabinetin e Qeverisë Tranzitore të Stabilitetit dhe anëtar i Komisionit Konstitucional, detyrë që Menoja e kreu me shumë dinjitet.
Kuvendar e tribun i fjalës së mençur e guximtar e kishin njohur e parë Menon nëpër sheshe, auditore e ekrane televizive, mjeshtër i dialogut sa shkencor, njerëzor e dimensional, tolerant në politikë, por kurrë servil, i pavarur e këmbëngulës në mendimet e tij kritike, konstant, por kurrë konformist me të tjerët, pavarësisht nga ofiqet e postet e larta. Nuk pajtohej me shkelësit e ligjit e të moralit shoqëror, konservatorët e frenuesit, por nuk e kursente kurrë edhe fjalën e mirë për këdo. Ai nuk pajtohej kurrë as me disa tendenca e qëndrime “super partish”, “super udhëheqësish”, diktati, arrogance, megalomanie, nënvleftësimi që po shfaqeshin edhe tashmë në demokraci (sidomos ndaj Partisë Agrare shqiptare, që kërkonin ta vinin në rresht me anë të presioneve politike. “Politikën, — thoshte Menoja, - e konsideroj mençuri dhe ndershmëri, por kurrë hile, dredhi e diktat. Jam me parimet e Konicës që nuk iu nënshtrua politikës. Ai deklaronte prerë, “se unë dhe Partia Agrare do të jemi në koalicion vetëm me ato parti që janë për zbatimin e plotë të paketës ligjore për fshatin. Jam kundër ndarjes së padrejtë të pasurisë kombëtare që po bëhet pre e bordeve partiake apo politikës së bërrylave, si ndodhte në diktaturë”.
Ishin pikërisht këto qëndrime e mentalitete të vjetra, përplasje e strese të paprecedentë si dje në diktaturë dhe më pas në demokraci që u bënë shkak që Menoja të sëmuret nga një lloj paralize bllokuese. I këshilluar nga mjekët të ndalojë çdo punë mendore e strese, me regjim të rreptë shtrati e kurimi, në kushtet e sëmundjes krejt në mënyrë të natyrshme e demokratike - humane më 24.1 1992 bëri dorëzimin e Partisë Agrare shqiptare (PASH) kandidaturës që vet kishte propozuar dhe iu aprovua plotësisht, Lufter Xhuvelit.
Menoja plot emocion nga tribuna e Këshillit Kombëtar të Partisë së tij Agrare, në një ndjesi prekëse të jashtëzakonshme të auditorit lexoi letrën e njohur: Disa kujtime të shkurtra si porosi, amanete. Në përfundim të letrës premtoi: Sa të më lejojë sëmundja nuk kam për ta larguar vëmendjen e dashurinë ndaj jush e Partisë Agrare, jo vetëm me mendje e me zemër, por dhe me studime e materiale. Nga shtrati i sëmundjes i ndiqte në radio e televizor, aktivitetin e Partisë Agrare, dhe i bëhej zemra mal. Të bëjnë përshtypje dy letra, studime, porosi. Njëra prej 10 faqesh dt 1.2.1992, ku midis falënderimeve që i dërgoi Lufter Xhuvelit, i shprehte dhe merakun për forcimin e Partisë Agrare, ruajtjes së identitetit të saj, të mos konsiderohej kurrë “bisht parti”. Në një letër tjetër (material studimor 5 faqesh me një vizion tepër shkencor që i dërgon mikut të tij specialistit Njazi Tahiri, këshilltar, koordinator bujqësor pranë Këshillit të Ministrave) dt.7.4.1998 bën fjalë për “rajonizimin agro-klimatik dhe perspektivat e agro–turizmit. Ai vë në dukje mbrojtjen me çdo kusht e “prodhimeve bio”, vendase përballë importit bllokues të OMGJ; rekomandon rrugëzgjidhje dhe prioritete.
Menoja sado që vuante e rëndohej gjithnjë e më shumë po paralizohej dhe nga të folurit, shprehte vazhdimisht atë “pengun” e tij dëshpërues që edhe pse po mbushen 10 vjet nga krijimi i Partisë Agrare ende ajo nuk po përfaqësohej në Parlamentin shqiptar, që të mbronte më mirë interesat e fshatarësisë shqiptare që po katandisej keq e më keq!! Por Partia Agrare mundi të bëhej pjesë e Parlamentit jo siç e dëshironte Menoja (me dinjitet); por vetëm nëpërmjet “Dushkut” famëkeq të Nanos, për t’i shërbyer atij si “një bisht parti”, që pastaj do të “trafikohej” tek Berisha. Në një nga kongreset e Partisë Agrare (i pari kongres pa themeluesin dhe kryetarin e nderit), që kishte fare pak kohë që Menoja kishte ndërruar jetë për habinë e të gjithëve kryetari i kongresit Xhuveli nuk denjoi ta nderonte as me një minutë heshtje, me arsyetimin tepër vulgar se “mos na bie entuziazmi i kongresit”.
E besoj atë (Xhuvelin) sepse vetëm ai i ka provuar kongreset “entuziaste” të PPSH, ndërsa Menoja në ato kohë (si intelektual “i sëmurë”) kushedi se ku rropatej në atë jetën 30-vjeçare fshatrave. Kurse Menoja as nuk afrohej dot atje ku “bëheshin punëra të mëdha”, përzgjidheshin delegatët dhe të ftuarit për në kongrese. Meno Gjoleka duke qenë tepër i sinqertë, serioz e modest respektonte sentencën e Senekës për të qëndruar larg bujës e publicitetit. Thurte në heshtje e vetmi veprën e vet. Ai u varros me 6.6.2003, në fshatin e tij të lindjes Dukat, sipas amanetit të tij. Në kokën e pllakës së mermertë drejtuar nga kodra e shtëpisë së tij (si kështjellë e gurtë) shkruhet epitafi: Ju brezat e rinj të kini kujdes, unë atje ku prehem Do t’ju përshëndes…
Shkrimi eshte marre nga gazeta “TiranaObserver”




Ska anëtarë që kanë komentuar " Në mbrojtje të vlerave të Dr. Meno Gjoleka "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment