Aktori Grek Kosta Sommer
Banoret greke te Koropit nuk do ta kishin shpene kurre nder mend se nje dite te nxehte korriku mund te gdhiheshin ne Shqiperi. Mes shtepive te gurta te zhgaravitura me siglat e PD e PS-se apo nen kercitjen e hekurte te mercedeseve te vjeter qe capiten ne kalldremet e fshatit, tashme flitej vetem ne gjuhen shqipe. Ne njeren prej tyre ndodhej edhe dyqani ku mblidheshin pleqte e fshatit per te pire kafe turke nen tymin e duhanit te dredhur apo telefoni i vetem qe mund te te lidhte me pjesen tjeter te botes. Me pak fjale nje fshat i vertete shqiptar, qe arkitektet e tij kishin vendosur ta pagezonin me emrin Dukat. Por habia qe mbertheu banoret e fshatit me te ri ne bote, do te fashitej shume shpejt. Ndoshta qe ne momentet kur do te mesonin se “Dukati” i tyre ishte zgjedhur si sheshi i xhirimeve te telefilmit te fundit te stacionit prestigjioz “Antena TV”.
Ne ato dite te nxehta korriku, para kamerave televizive nisi te rrefehej jeta e nje emigranti shqiptar, te dashuruar pas gruas se afendikoit te tij. Per here te pare, nje regjisori vendas kishte “guxuar” nje nderrmarrje qe disa vite me pare mund te quhej krejt e pamundur: nje film qe flet per jeten e emigranteve shqiptare ne Greqi. Per here te pare, vijne ne ekranin e televizionit kombetar grek emigrantet e vertete shqiptare. Me anet e mira dhe te keqia te tyre. Vijne intelektuale qe detyrohen te ropaten ne pune te rendomta, por qe nuk harrojne qe ne mbremje te shfletojne librat. Njerez qe dine te fitojne respektin e vendasve, por edhe te dashurojne. Sepse te fund te fundit, kjo eshte pamja e vertete e shqiptareve qe po provojne te njohin prej pak kohesh vendasit. Ndoshta per kete qellim, telefilmi “Dashuria erdhi nga larg”, i transmetuar cdo te premte ne mbremje ne valet e “ANT1″, eshte kthyer ne njerin prej programeve me te ndjekura ne Greqi.
Te premten e shkuar, seriali i jetes se emigrantit shqiptar kishte mberritur ne episodin e 10-te. Aty ku dashuria e tij me greken e bukur (gruan e afendikoit te tij) ka arritur kulmin. Ne qender te kesaj dashurie eshte Iliri,( i intepretuar nga Kosta Somer) studenti nga Dukati, i veshur me tere karakteristikat e mira te nje shqiptari. I sapo diplomuar per agronomi, ai le vendin e tij per te siguruar nje pune me te paguar ne Greqi. Ne ditet e para te emigrimit nisin perpjekjet per te siguruar leje qendrimin. E gjate kesaj kohe ben cdo lloj pune qe i del perpara. Por ne oret e vona ne nates, vazhdon te studioje, per t’i pasuruar me shume dijet mbi agronomine. Nga pas vetes, atje ne vendin e tij te lindjes ka lene te fejuaren e tij. Por ne Larisa, ai dashurohet me gruan e pronarit te tij, Vasiliqine, e cila gjen ngrohtesine e munguar tek ky djalosh i ri shqiptar, gjen ato qe i kane munguar ne lidhjen e saj martesore. Eshte kjo nje dashuri qe krijon probleme per te dy palet, ate greke e ate shqiptare. Kjo eshte pika ku ka arritur filmi, ndersa te tjera episode vazhdojne te xhirohen ne Larisa.
Nje prej protagonisteve te ketij filmi shqiptaro-grek, eshte edhe Nikolla Llambro, aktori gjirokastrit i njohur ne kinematografine shqiptare qe jeton prej vitit 1991 ne Greqi. “As qe mund ta besonim se do te vinte kjo dite, qe nje regjisor grek te realizonte nje serial te tere televiziv per jeten e emigranteve shqiptare ketu ne Greqi”, shpehet i emocionuar aktori i dhjetra filmave te Kinostudios “Shqiperia e re”. Ai vete interpreton rolin e Ramizit ne film, nje nder ata emigranteve qe ia prishen imazhin Shqiperise. Qe vijne ne Greqi per te fituar me poshtersite e tij, duke dredhur tere diten zinxhirin e duke spiunuar e futur ne sherre te tjeret. “Nuk kishte se si t’i mungonte filmit nje personazh i tille sepse e verteta eshte se ka shume njerez te tille qe cfare nuk kane bere ne Greqi e ne vende te tjera te botes aq sa per Shqiperine u krijua nje opinion i tmerrshem te cilin zor se mund ta ndryshojme”, thote Llambro. Por krahas Ramizit, per here te pare ne televizionit grek vjen edhe nje pamje krejt e ndryshme e emigranteve shqiptare. Ata qe pertej skamjes nuk harrojne per asnje moment dinjitetin dhe krenarine per vendin qe kane lene pas.
Mbi te njejten filozofi eshte ndertuar edhe stafi i aktoreve shqiptare ne kete film. Jane mbi 15 personazhe qe interpretohen nga studente apo ish-aktore te njohur shqiptare qe ndodhen prej vitesh si emigrante ne vendin fqinj. Pjesa me e madhe e tyre po i rikthehen pasionit te vjeter pas shume vitesh braktisje per t’iu kushtuar puneve te rendomta dhe peruljeve. Ndersa ideja ishte krijuar prej vitesh ne mendjen e regjisorit grek Manushos Manushakis, aktoret ende nuk ishin gjetur. Vec grekeve do t’i duheshin patjeter dhe disa aktore shqiptare. Ndryshe filmi nuk do dilte realist. Ne kerkimet e gjata, regjisori mesoi se ne Greqi ka edhe aktore shqiptare. I gjeti ata qe kerkonte, ndersa mesoi se keta aktore kishin krijuar dhe nje shoqate te tyre te quajtur “Shoqata e aktoreve ne mergim”, brenda te ciles jane perfshire pothuajse te gjithe aktoret qe mergojne ne Athine. “Ne kete shoqate do te sigurohej stafi i duhur per filmin”, sakteson Llambro duke shtuar se aktoret e kesaj shoqate (anetar i se ciles eshte dhe vete ai) jane perpjekur te organizojne aktivitete, koncerte te fjales artistike. “Edhe tani ne festat e nentorit ne organizuam nje mbremje poetike me recitime. Arrijme te gjejme ndonje salle te vogel teatri per te bere te tilla aktivitete sa per te mbajtur gjalle pasionin tone te artistit”. Asnjeri prej anetareve te kesaj shoqate nuk e kishte menduar kurre se nje dite do te ishte personazh i rendesishem i nje filmi grek, aq me pak i nje filmi qe do te trajtonte jeten e tyre. Regjisori grek, Manushaqis i futi krejt papritur ne kete rrjedhe edhe Nikolla Llambron, edhe Laert Vasilin, edhe Eglantina Kumen, edhe djalin e Kadri Roshit, Klitin, edhe Kristina Bermadhen, Armando Dautin e Aleksander Rrapin. Te gjithe se bashku jane bere tashme te njohur edhe ne audiencen greke. Te gjithe se bashku po zbulojne ne krah te kolegeve greke se kush jane ne te vertete. Historine qe nisi te rrefehet ne ditet e nxehta te korrikut, ata, te gjithe se bashku, greke e shqiptare e rrefejne rregullisht ne mbremjet e se premtes si nje “Dashuri qe erdhi nga larg”, si nje dashuri qe lidh dy kombe fqinje.





Ska anëtarë që kanë komentuar " Dashuria qe erdhi nga Dukati "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment