Drejt Llogorasë.

 

Nga Zenepe Luka

 

  

Për të shkuar në Llogora nga qyteti i Vlorës, nuk duhen më shumë se 45 minuta. Rruga e shtruar, vite më parë, ka bërë që në fund-javë vlonjatët të braktisin qytetin dhe të ngulen në Llogora, duke kaluar edhe natën aty. Fshati turistik, me 12 vilat e drunjta, me hotelin dhe restorantin luksoz dhe pishinën nga më modernët, 12 lokalet e tjera që nisin nga Qafa e Sorkadhes dhe deri tek restoranti në Qafë që ka emrin “Al Bano”, janë të tejmbushura edhe me turistë nga të gjitha shtetet.

 

Këtë të djelë marsi, në qytezën turistike, ishte një mrekulli. Një ditë e mbushur me diell, ku ajri i pastër të mbush mushkëritë, një panoramë magjepse me pishat gjigande që duket sikur prekin qiellin, që zor se do të kishte dorë për ta hedhur në telajo, të gjitha këto bashkë, kanë bërë që të mbushet me njerëz, sikur ndodh gjithmonë në një ditë pranvere. Pronarët e lokaleve shprehen se kanë qënë të tejmbushura në ditën e 8 marsit, jo vetëm me familje vlonjate, por edhe nga rrethet e tjera, ku nuk kanë munguar edhe kolektiva me gra, që kanë kaluar mrekullisht festën e tyre. 

 

Afrimi i ditës së Verës, do të jetë përsëri një bum për lokalet në pikën turistike të Llogorasë, ku nuk mungojnë edhe “ballokumet e Elbasanit.”

 

Tek Sofo Kuteli, mësuam sekretin.

 

Sofo është pronari i lokalit më të hershëm këtu në Llogora, një lokal dhe hotel modern, që tërë kohën e gjen të mbushur plot. Ka disa arsye që njerëzit ndalen aty. Para së gjithash, Sofo Kuteli është një kuzhinier me duar të arta, një mjeshtër i pjekjes së mishit në hell. Të gjithë e dinë se ai ka qenë kuzhinier deri në Amerikë, kur vendi i tij përfaqësohej nga diplomati Halim Budo. Por, ajo që ka më shumë rëndësi për klientët, është se tashmë janë të bindur, që Sofo i zgjedh qengjat dhe kecat e Dukatit që janë të kripur dhe kanë një shije të veçantë, por dhe për një fakt tjetër. Për miq të veçantë, mban një verë shumëvjeçare, të cilit ia ka dërguar krushka greke nga Patra e Greqisë.

 

Sofo është edhe historian, ai e njeh në majë të gishtave historinë e Dukatit që në lashtësi, madje bën debat dhe korrigjon shtrembërimet që janë bërë nga njerëz, që nuk e njohin këtë histori. Edhe lokali i tij, ka historikun e vet. Kjo vilë e bukur në krah të një pishe 500 vjeçare dhe të një burimi, që zbret nga mali, ka edhe një libër shënimesh. Aty do të gjesh edhe përshtypjet të shoqëruara edhe me foto të Akademikut Rexhep Qose, të prof.Rexhep Meidanit, ish presidentit Alfred Moisiu, Dr.Makbule Ceços, etj etj.

 

Ai tregon se ish Presidenti Alfred Moisiu, këtu festoi 75 vjetorin e lindjes, se i pëlqente shumë arapashi. Kur përmend këtë gatim specifik dhe interesant për trevën Sofo rrëfen se numërohen shumë raste, kur nga lokali i tij, i janë dërguar në zyrë nënkryetares së Parlamentit shqiptar Makbule Ceços tenxhere me arapash, që ajo e ka pikë të dobët.

 

- Është grua korrekte - thotë ai, më ka telefonuar menjëherë dhe më ka falënderuar dhe sa herë rastis, më dërgon të fala me miq të saj që vijnë këtu.

 

Në tavolinë mësojmë një fakt interesant nga gruaja e Sofos, Maria, që punon bashkë me të shoqin. Më parë kemi dëgjuar se Maria, jo vetëm është mbështetje për pronarin, por shërben edhe për ti “tërhequr veshin” kur ai qeras miqtë e tij të shumtë. Ka të drejtë kur shprehet se: Nëse Sofo do të vepronte kështu,do të mbeteshim me gisht në gojë, pasi të gjithë ata që bujanë këtu, janë miqtë e tij”.

 

Për të ndërruar bisedën dhe evituar ndonjë sherr, vetë Maria na tregon një fakt interesant, që nuk e kishim dëgjuar më parë dhe që na detyroi të nxitonim dhe mbërrinim me një frymë në fshatin Dukat.

 

- Isha mbrëmë tek im vëlla, Xhelo, që banon poshtë në Dukat, pasi trinjakët e tij festuan 35 vjetorin e lindjes.

 

Trinjakë…35 vjeç? - pyetëm dhe u befasuam të gjithë sa ishim aty.

 

Ajo vijoi më tej se i vetmi sherr mes tyre, janë gratë, që burrat i kanë njësoj, po kanë bindje të ndryshme.

 

Aty mësuam që në Dukat tre vëllezër trinjakë,që janë pjesë e skuadrës prej 12 fëmijë të vëllait të saj Xhelo Begës, të çiftit Xhelo. Këtë fakt, që na e nxori sherri i Maries me Sofon, nuk e lamë të na shpëtonte.

 

Në shtëpinë e Xhelo Begës, mikut të Byroistëve.

 

Xhelo Bega, është i njohur jo vetëm në zonën e Orikumit, por në të gjithë trevën e Vlorës. Ai ka një vilë të bukur, komode dhe mburret se projekti është hartuar nga vetë ai. Ka mbjellë me duart e tij shumë lloj pemësh, por meraku i tij janë hardhitë, sepse ju merr jo vetëm frytin, por edhe rakinë, që nuk përton ta zjejë edhe dy herë. Sikurse shprehet gruaja e tij, nuk ka ditë që të mos e kthejë një teke raki.

 

- Pse nuk thua që e kthejmë bashkë - ndërhyn ai dhe duke qeshur i rreh supet e na drejtohet ne:

 

Kjo zonjë, ka lindur 9 fëmijë, 7 djem dhe dy vajza,që tani janë bërë një mëhallë, dhe të gjithë e mbajmë si ujët e pakët.

 

Biseda me Xhelo Begën, nis shtruar. Ai ka shumë histori, njeh shumë njerëz publikë, së fundmi edhe Ponin, këngëtaren vlonjate, por pjesa më e rëndësishme e jetës së tij, është koha kur ka qenë kryetar i kooperativës, detyrë që e bënte të njihej dhe kuvendonte me Byroistët.

 

6 desh për Mehmet Shehun dhe kënga me Hysni Kapon.

 

Jam i nderuar që kam qenë kuadër në atë kohë, ishte vlerësim për punën dhe kontributin që jepja - nis bisedën ai. Kam qënë kuadër i Partisë së Punës dhe i zgjedhur në forume. E kam nisur punën nga përgjegjës sektori, kryetar i këshillit dhe deri tek kryetar Kooperative, që nuk ishte e pakët - thotë Xhelo me mburrje. Këto detyra me rëndësi, sigurisht më shkonin për shtat, pasi kam qënë edhe një burrë - trupmadh dhe i shëndetshëm. Kështu i donte kuadrot partia - bën humor Xhelo.

 

Sidoqë halli ynë ishte të takonim trinjakët dhe nuset e tyre, nuk mund të ndërprisnim historitë e Xhelos, që më e shënuara për të, është ajo e vitit 1967, kur në Dukat erdhi Mehmet Shehu dhe për nder të tij, u therën 7 desh, që prinin tufën.

 

- Ishte hera e parë që e pashë të buzëqeshte dhe të këndonte Mehmet Shehun - vijon Xhelo, duke nxjerrë gjoksin përpara, çka është një gjest mburrjeje.. Vajtja në Karaburun, mbetet një ditë e paharruar për të gjithë ne që e shoqëronim kryeministrin e kohës. I qante syri për ndonjë derr të egër, apo çfarëdo gjahu ti zinte dora. Ishte mjeshtër i gjahut dhe kish një të mirë. Gjahun e falte.

 

Por Xhelo mburret edhe për faktin se ka kënduar gju më gju me Hysni Kapon, dhe se me Ramiz Alinë ka folur butë-butë, sikur ai, të ishte nga Dukati. I kam takuar të gjithë byroistët, më njihnin dhe dërgonin të fala. Enverin e kam parë nga afër, por dorën nuk ia kam shtrënguar, dhe kjo në një farë mënyre më mbeti peng.

 

“Ata ishin burra të vërtetë, kishte lezet ti takoje, të bisedoje, ti dëgjoje. Duhen nderuar për atë çka bënë në atë kohë. Unë jam krenar që kam qenë mik i tyre, dhe nuk hy në atë kategori burrash që sot, pas ndryshimeve politike, ca më keq pas vdekjes së tyre, i shajnë dhe i lajnë. Jo, njeriu duhet respektuar e vlerësuar për kohën që jetoi dhe kontribuoi. Tek e fundit, diçka u bë për këtë vend, u çlirua nga armiqtë, u ndërtua, u hapën shkolla, spitale, u bënë rrugë. Më vjen keq ta shpreh, por është një realitet, që e prekim të gjithë. Sot, nuk ka burrëri, ose e ndesh shumë rrallë”.

 

Por çfarë bën pas viteve 90-të Xhelo Bega, miku i byroistëve?

 

Merrem me problemet e shtëpisë. Më vjen mirë që respekti dhe autoriteti për mua dhe familjen time, është po ai i atyre kohëve. Jam i majtë dhe kur bëhen zgjedhje më besojnë nëpër komisione zgjedhore. Të gjithë më shohin në sy, para se të hedhin votën, por unë nuk bëj asnjë shenjë. Jemi në demokraci, secili e vendos vetë se kujt do t’ia japë votën.

 

Ndjehem mirë që nuk e duan vetëm të majtët, por edhe të djathtët. Shumë miq, të afërt edhe krushq, i kam ballistë që janë të shumtë në Dukat. Nuk jam i sherreve dhe mërzitem ndonjëherë që sherri zjenë edhe në shtëpi, mes nuseve. Njëherë ju kam thënë:

 

“Nuse, mos më prishni harmoninë këtu në shtëpinë time, votoni për cilën të doni, këtu jemi të gjithë të barabartë. Edhe burrat i keni njësoj”.

 

Trinjakët e Xhelos që ngatërrohen nga nuset.

 

Është vërtetë për tu admiruar ky çifti Xhelo e Bakie Bega.Duken të rinj dhe që e përcjellin ditën, vitet dhe jetën po e ngrysin me humor.

 

Ata heshtin kur i pyesim se si janë dashuruar, ndoshta pse janë përballë fëmije dhe nipërve e mbesave, që bëhen një batalion, por një miku i tyre, që është bashkë me ne, na tregon se Xhelo i a vuri syrin bukuroshes brune, kur ishte duke ruajtur tufën dhe se ajo uli sytë përdhe sapo e pa.

 

- “Ishte një djalë trupmadh dhe u ndjeva e pafuqishme, për ta kundërshtuar propozimin e tij” - thotë me të qeshur Bakia, pas një gjysmë shekulli bashkëjetesë. Jemi dashur gjithë kohën. Prova më bindëse, janë fëmijët. Lindëm 9 fëmijë ,7 djem dhe dy vajza. Kam lindur tre djem njëherësh, që sapo ju festuam 35 vjetorin e lindjes. Nuk është e zakonshme kjo-tund gishtin Bakia.

 

Dale, dale - i ndërhyn i shoqi, Xhelo. Është zotësia ime, që qëllova në shenjë dhe zura tre djem azganë. Kjo është burrëri, është zotësi. Ti, faleminderit që i mbajte në bark, vuajte ca, por mos harro se të mbaja si princeshë dhe nuk zije punë me dorë. Ah, po, vuajte që edhe i linde. Por ama, ata quhen trinjakët e Xhelo Begës.

 

Kështu përmes këtij dialogu interesant, trinjakët, bëhen kryefjala e bisedës tonë.

 

Kur pyesim për emrat e djemve, Xhelo na i tregon me rimë…

 

Pandeli, Flamur, Sokoli.

 

Artur, Artan, Artimondi

 

Dhe në fund Edisoni.

 

Ata kanë edhe dy vajzat, Luljeta dhe Fatbardha dhe të gjithë fëmijët janë martuar. Kjo skuadër, bëri një batalion nipër e mbesa. Tani Cifti Xhelo e Bega, kanë një mëhallë në fshatin Dukat.

 

Trinjakët, janë tre djem shumë simpatikë, që kanë një histori më vete në këtë familje. Nëna e tyre thotë se nuk e dinte se sa fëmijë kishte në bark, por di që kur lindi dy, i thanë, prit… se ke edhe një tjetër. Të tre djemve, ua vunë emrat mamitë në Maternitet. I pari Lindi Artani, pas dy minutash Arturi dhe pas 5 minutash Artimondi. Dy të parët megjithëse peshonin nga 2.8 kg, u dërguan në shtëpinë e Foshnjës, ndërsa i treti që peshonte 2.5 kg, e rritën prindërit.

 

Xhelo thotë se u ndje vërtetë burrë, kur mori vesh se lindi tre djem njëherësh dhe kur e pyesnin se çfarë lindi gruaja o Xhelo, ai u përgjigjej: Kallaballëk.

 

Artani dhe Arturi u kthyen në shtëpi në moshën trembëdhjetë muajushe dhe më pas të tre bashkë u rritën, u shkolluan dhe sot janë bërë baballarë.

 

I zoti i shtëpisë, tregon se i a ka arritur qëllimit që të ketë një familje me taban, me harmoni, që ka lënë emër të mirë në fshat dhe kudo.

 

Djemtë kanë shkuar mirë me njëri tjetrin, por trinjakët na i kanë ngatërruar nuset. Kështu Teuta dhe Hyria, që janë bashkëshortet e Artanit dhe Artemondit, janë të djathta, nga ato familje vijnë, ndërsa Sonila, nusja e Arturit, është socialiste.

 

- Këtu, veçanërisht në prag zgjedhjesh dhe ditë votimesh bëhet sherr, por nga ana tjetër, respektohet edhe mendimi dhe vota kundër, - thotë Artimondi, që rri me prindërit dhe që bën sherr me nusen për shkak të bindjeve të kundërta. Por këto janë momente të veçanta, njëherë në 4 vjet që ka zgjedhje. E përditshmja është harmonia, mirëkuptimi, respekti dhe mirënjohja për prindërit dhe kujdesi për fëmijët që lindin -thotë trinjaku.

 

Trinjakët rrallë dalin bashkë, pasi dy të parët, që i ndajnë minutat nga lindja e njëri tjetrit, janë në emigracion. Së fundmi u takuan në festën e 35 vjetorit të lindjes, që babai i tyre e shtroi me raki të zjerë dy herë.

 

- Do të dëshiroja që njëri nga djemtë e mi, të ecte në genin e prindërve, të lindte trinjakë, por jo. As binjakë nuk kanë lindur dhe me sa dëgjoj plakën, sikurse i kanë thënë nuset, sikur e kanë mbyllur kapitullin e lindjes së fëmijëve. Jemi në kohë të reja, duhen pak fëmijë, që të rrojnë mirë dhe mos kenë telashe. Nuk mendojnë ata për një çast, se po të kishim vepruar edhe ne prindërit e tyre kështu, ata nuk do të kishin ardhur në jetë.. Prandaj kam të drejtë të përsëris. Sot, janë të pakët burrat…

 

Largohemi nga shtëpia e çiftit Xhelo e Bakie Bega, duke marrë me vete kënaqësinë, humorin por edhe sherrin e nuseve, që ngatërrojnë trinjakët dukatës, për shkak të bindjeve politike.