Banorët e Dukatit dhe përfaqësues të shoqatave ambientaliste në Vlorë, kundërshtojnë kontratën e qeverisë me një kompani italiane për ndërtimin e një parku me energji ere në këtë zonë.

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU*

                                                    

Sipas tyre, impiantet dhe gjithë industria e kësaj vepre do të zërë një sipërfaqe toke rreth 100 hektarë, ndërsa ende nuk është sqaruar çështja e shpronësimit. Qeveria shqiptare ka lidhur kontratën me një kompani siciliane, e cila do të ndërtoje këtë park për të prodhuar energji elektrike nëpërmjet erës. Por banorët e Dukatit dhe të zonave përreth saj e kundërshtojnë një gjë të tillë, duke protestuar për këtë investim që do të nisë së shpejti në territorin e tyre. Ky investim, sipas ambientalistit Lavdosh Feruni është i dëmshëm për këtë zonë, por edhe për turizmin. Feruni u shpreh se ky park nuk i intereson absolutisht Dukatit. Sipas tij, një industri e tillë shton ndotjen akustike në zonë, ndërsa nuk i sjell asnjë të mirë komunitetit. Ndërsa banorët, të cilët janë informuar pak për këtë projekt, pohuan se parku që do të zërë një hapësirë prej 100 hektarësh, do të jetë me shtylla, të cilat do të zënë tokat e tyre. Ata ankohen se këto toka nuk do të shpronësohen. Sipas ambientalistit Feruni, ndotjet akustike në zonë si dhe pasojat e tjera të një parku të tillë do të cenojnë zonën e Dukatit. “Reagimi i banorëve të Dukatit dhe zonave përreth do të jetë i fuqishëm ndaj këtij investimi, pasi një gjë e tillë nuk është aspak e dobishme për zonën”, tha më tej ambientalisti Feruni. Ndërsa banorët ankohen se kjo lloj industrie do të largojë turistët nga zona që shtrihet gjer në Karaburun. Sipas tyre, ndërtimi i një parku të tillë sjell fitime vetëm për kompaninë e huaj, pasi energjia do të eksportohet në Itali.

Pak kohë më parë, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, konfirmoi për vlonjatët ndërtimin e një industrie të tillë, e cila sipas tij do t’i japë një zhvillim tepër të madh të gjithë zonës. Por duket se kjo nuk është mirëpritur aspak nga banorët, kryesisht atyre të Dukatit. Ata kërcënojnë se do të hidhen në protesta dhe do të pozicionohen kundër këtij projekti. Por, ndërsa pozicionohen kundër kësaj vepre, ata duket se ndihen të pafuqishëm ndaj anulimit të ndërtimit të një parku të tillë. Ndonëse ata shprehen kundër, sërish pohojnë se të paktën duhet të njihet edhe prona e tyre. Sipas ambientalistëve, por edhe banorëve, në këtë zonë do të vihen impiante gjigante për prodhimin e energjisë me anë të erës. Banorët e Dukatit thonë se bashkë me ta do të protestojnë edhe ata të zonave të tjera përreth, derisa të paktën qeveria t’u garantojë shpronësimin.

 

 

Vendosen mullinjtë e parë në Karaburun

 

Investimi për ndërtimin e parkut të madh për energji elektrike nëpërmjet erës, do të kryhet nga një shoqëri italiane me qendër në Siçili. Mullinjtë me erë që prodhojnë energji do të vendosen nga fillimi i zonës së gadishullit të Karaburunit, për të vazhduar në vargmalin e Llogorasë, më tej në zonën e Shashicës deri në malet e disa fshatrave të Vlorës që kanë lartësi të madhe. Në këtë zonë shumë të gjerë do të vendosen 250 të tillë, ku çdo një prej tyre do të prodhojë nga 2 mega vat. Të gjithë energjinë e prodhuar, kompania do ta shesë në Itali dhe do të përdoret vetëm për industrinë italiane. Por banorët ende nuk janë të informuar për qiranë dhe format e saj. Para dy vitesh shoqëria italiane ka vendosur dy mullinj me erë në zonën e Karaburunit për të bërë eksperimentin, i cili ka dhënë rezultat, sipas tyre.

 

 

Zona, me qira për 99 vjet

 

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në një nga vizitat e tij në Vlorë, ku do të inspektohej ecuria e punës në dy veprat e mëdha, të TEC-i  t dhe Petroliferës, konfirmoi edhe projektin e italianëve për mullinjtë e erës në zonën e Vlorës. Sipas tij, një industri e tillë është parashikuar për t’u shtrirë në zonën e Karaburunit, dhe do të shtrihej edhe në zona të tjera, duke përfshirë këtu edhe Dukatin. Kryeministri premtoi se një investim i tillë do t’i jepte një zhvillim tepër të madh gjithë zonës. Por pak kohë pas kësaj deklarate, banorët pozicionohen kundër pasi, sipas tyre, parku vetëm sa do të ndotë ambientin, ndërsa energjia sërish do të importohet. E gjithë zona do të jepet me qira për 99 vjet, sipas marrëveshjes paraprake që është bërë me qeverinë shqiptare, e cila është në studim e sipër. Të gjithë banorëve që u zihet toka nga vendosja e impianteve dhe mullinjve, do t’u jepet qiraja sipas marrëveshjes midis palëve.

 

Marre nga gazeta “Panorama” e dates 11.08.2008