Segment nga rruga Dukat-Llogara

E vetmja gjë që mund të krenohen pa frikë komunat dhe drejtoria rajonale në Qarkun e Vlorës është fakti se në çdo fshat të tij, tashmë shkon rruga e makinës. Por, kjo nuk është meritë e asnjërës prej tyre, por ka mbetur një arritje e kohës që kemi lënë pas. Për të tjerat pastaj, nuk duhet të gëzohet apo të mburret askush, sepse në të vërtetë rrugët për në fshatrat e këtij qarku ngjajnë si dy pika ujë me rrugët dytësore të qytetit, që nuk kalohen dot as në dimër dhe as në verë. Në dimër prej mbushjes plot me ujë dhe në verë prej tymit që duket sikur del nga ndonjë kaldajë e dy shekujve të kaluar. Pa harruar pastaj faktin se gropat e mëdha që ndesh rrugës, jo vetëm dëmtojnë mjetin me të cilin ti lëviz, por njëkohësisht janë të dëmshme edhe për shëndetin e udhëtarëve. Saktësisht rrugët rurale në Qarkun e Vlorës janë lënë pas dore.

 

Rrugë të mjeruara

 

E vetmja rrugë e shtruar së fundmi, ajo e Selenicës, është shtruar në një gjerësi aq të vogël, sa më së shumti mund të jetë premisë për aksidente, ndonëse aty kalojnë pak makina. Por, edhe kjo rrugë në segmente të saj të shumta, pa u inauguruar ka filluar të njohë amortizimet e radhës. Veçanërisht segmenti pasi kalon fshatin Babicë, në afërsi të Alikokut, është bërë i rrezikshëm për drejtuesit e automjetit, paçka se për këtë rrugë janë harxhuar plot 8 milionë euro. Në vazhdim të kësaj rruge, torturë e vërtetë është segmenti nga Qishbardha në Drashovicë. Banorët e zonave pranë kësaj ane shprehen me shaka se edhe në luftën e vitit 1920, kjo rrugë ka qenë më e mirë. Më pas ajo vjen disi më ndryshe dhe rregullohet në vazhdim por që të shkosh në fshatin Ploçcë, ose përkundër në qytetin e vjetër antik, tashmë parku kombëtar Amantia, turpërohesh nëse ndodhesh mes turistëve, që janë njohur përmes hartave se këtu ka një park arkeologjik. Në gjendje akoma më të keqe kjo rrugë bëhet drejt qendrës së komunës së Sevasterit, por teksa shkon drejt fshatit me juglindor të rrethit të Vlorës, në Shkozën e largët, mendon se për segmentin paraardhës, kishe menduar gabim. Pastaj, nëse tenton që nga këtu të kalosh në veri të rrethit, përmes fshatrave të Amonicës, Mallkeqit, Rexhepaj e Gorisht e më tej akoma në Kocul e Treblovë, duhet të mendohesh mirë për cilësinë e makinës, në të kundërt ka shumë mundësi të mos vish më me të. Me një çakëll të hedhur ndoshta përpara se sa të fillonte demokracia, apo me një çakëll lustër të hedhur njëherë në vit, ato rrugë vetëm nga halli dhe e keqja mund të merren me makinë. Pak më ndryshe, situata paraqitet në rrugët rurale në pjesën jugore të qytetit. Deri në Dukat, rruga është normale falë faktit se deri në këtë fshat rruga është pjesë e asaj që shkon në fshatin turistik Llogara, por sapo merr anashkalimin për në Dukat-Fshat, përsëri futesh në rrugët mjerane. Edhe deri në fshatin e Nartës rruga është e shtruar mirë, por për në fshatrat e tjerë të kësaj komune si për në Kërkovë apo Bonavi, rruga është njësoj si në fshatrat e tjerë

të thellë të këtij qarku. Mesa duket, varësia nga shumë drejtime e këtyre rrugëve është edhe problemi që ato nuk gjejnë një zgjidhje përfundimtare. Ato varen edhe nga komunat, nga drejtoria rajonale e rrugëve, nga qarku dhe nga prefektura, ku pas interesimit se përse është kjo gjendje mjerave e këtyre rrugëve, këto instanca ia hedhin fajin njëra-tjetrës për mungesë

investimesh. Por, jo vetëm kaq. Duke qenë se kanë pak shpresë për të marrë investime, edhe vetë komunat e këtij qarku nuk marrin mundimin që të bëjnë projekte për rrugët në komunat e tyre.

 

 

*http://www.sot.com.al - Gazeta SOT Online Powered by Mambo Generated: 25 August, 2008, 18:36