Lavdosh Ferruni

Nga Lavdosh Ferruni

Ç’po heq kjo Shqipëria e shkretë këto vitet e fundit!. Në fillim hijenat  ju vërsulën detit e i shkulën rërën nga thellësia e tij. Më pas ju kthyhen egërsisht anës së detit në zonat më të buta e më të brishta duke rrëmbyer 18.3 ha në Gji të Vlorës. Ju vërsulën Gjirit të Kokomesë disa herë e duket se po e gllabërojnë dhe atë. Tani në fillim të Gushtit, kur Shqipëria është e çkujdesur dhe do pak shplodhje hijenat ju vërsulën copës së madhe të Karaburunit, por pa e ditur se Karaburuni është kockë që të ngec në fyt. Hijenat i janë vërsulur tmerësisht keq Shqipërisë gjatë gjithë trupit të saj, deri në Krujë e Shkodër, por po mbetemi tek Karaburuni në këtë shkrim. Sipas vendimit të Qeverisë të 5 gushtit 2008, tokat që bëjnë pjesë në ekonomitë pyjore Brinjat e Fushës-Karaburun, Kume-Shashicë, Ana e Detit-Palasë, Parku Pyjor Llogara dhe në ekonomitë kullosore Karaburun, Dukat-Tragjas-Shashicë, Shashicë-Gumenicë, Ana e Detit, totali i sipërfaqes, gjithsej 95.746 ha, hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor kombëtar dhe të çregjistrohen nga zëri kadastral “pyll dhe kullota”. Kjo sipërfaqe i kalon në përdorim “Enpoëer Albania”, shpk, për vendosjen e anemometrave, të nënstacioneve, për infrastrukturën lidhëse elektrike, aerogjeneratorët dhe shtyllat e tensionit të lartë. Siç është thënë kjo kompani do prodhoj rreth 500 MË energji elektrike për ta eksportuar më pas në Itali. Për lexuesit që nuk e dinë, nuk mund të mos përmendim që rrëzë Karaburunit dhe në këmbët të Llogorasë është një fshat që quhet Dukat. Sipas burimeve statistikore krahina e Dukatit, përfshi dhe Tragjas e Rradhimë në vitin 1910 ishte krahina e dytë për nga popullsia e banuar e Shqipërisë. Nga të gjitha burimet konfirmohet se  vetëm në Karaburun kullosnin në dimër 100 mijë kokë bagëti (artikullshkruesi zotëron dhe një listë të fiseve dhe krerëve të të imtave që kish çdo fis para Luftës së Dytë Botërore). Këto dele e dhi nuk mbaheshin atëhere në komplekse, por kullosnin në mal, në dimër e në verë. Edhe sot barinjtë e zonës i kullosin gjithë vitin bagëtitë në kullotë. Por barinjtë nuk kullosnin kuturu. Seicili fis kulloste ne pronë të tij. Dhe ndarja e pronave ishte perfekt.  Edhe sot i gjithë Karaburuni është i ndarë siç ka qënë në shekuj midis fiseve të Dukatit. Shumica e popullsisë së Dukatit jeton në saj të përdorimit të kullotave të Karaburunit e maleve për rreth tij. Literatura shkencore njeh dhe një nga ekotipet e dhive më të njohura në botë, që është dhija e zezë e Dukatit. Nga ky territor banorët merrnin dhe lëndën drusore për ngrohje e për ndërtim dhe të mira të tjera materiale. Pra ishte mali, pra ishte dhe Dukati. Në malet e Dukatit fryn edhe shumë erë. Tani era ka vlerë se kthehet në energji. E zbuluan këtë gjë ca siçilianë dhe duke dëgjuar ata se në Shqipëri të falin sa tokë të duash vetë, duke i dhënë qeveritarëve ndonjë zarf zbarkuan në Karaburun. Qeveria e “shërbesave“ si gjithnjë e gatshme. Bujrum i thotë siçilianëve. Pronarët nuk i kemi problem, thotë Qeveria, se ata kanë qënë analfabet dhe nuk kanë pas letra për kullotat e tyre ndonjëherë. Por ngrihen këta nipërit e analfabetëve tani e i thonë Qeverisë:  “Mirë ne që s’paskemi letra e i kemi kufijtë të trashëguar nga gjyshërit, po ti moj Qeveri e dashur ku i ke letrat që Karaburuni është toka jote“. Qeveria nuk di ti përgjigjet kësaj pyetje, por gjene merr vendime sikur toka të jetë pa zot. Por supozojmë se Qeveria e kuptoi që toka s’është e saj dhe ja njojti pronarve historik tokën e tyre, a duhet të lejohen siçilianët të ngrenë në kreshtën e Karburunit dhe kreshtat e tjera përqark qytetit të Vlorës 250 kulla ere nga 120 m të larta.? A do të pranonte turisti të pushonte e të paguante 50 euro dhoma tek shihte për rreth supergardhin e kullave nga 3 anë të tij dhe oxhaqet e TECeve dhe depozitat e naftës në anën e katërt? Pyetja tjetër është; por çfarë fitojnë shqiptarët në këtë mesele, për sa kohë që energjia që do prodhohet do eksportohet në Itali? Mos vallë ka ndonjë paranojë për të shkatëruar këtë gji, më të bukurin në Mesdhe? Dhe të shkon mëndja: mos vallë dhe heqja e emrit të Ismail Qemalit i Universitetit të Vlorës ka lidhje me këtë paranojë?

 

 

 *Lavdosh Ferruni eshte bir i fshatit Dukat. Ai si nje ambientalist shume i zoti ka arrijtur te perballet me disa vendime te pushtetit qendror dhe vendor lidhur me ndertimet apo financimet pa kriter te cilat sjellin shkaterrimin e natyres.