Nga Elmaz Rodaku
Në prill të vitit 1965, si ushtar dizenjator, mora urdhër të shkoja në muzeun e Borovës për të rregulluar disa defekte që ishin bërë. Para se të filloja punën i erdha rrotull sallës modelste ku ishte pasqyruar historiku i Borovës martire. Pashë më shumë se 80 fotografi të burrave dhe grave të pushkatuara. Diku ishte edhe një plumb, për të cilin historia më kish mësuar se kishte marrë jetën e një fëmije djepi.
Mbas nja një ore, me paketën në dorë dola jashtë, ngaqë aty brenda ishte ftohtë dhe po ngrohesha në diell. Aty afër meje ishte edhe një burrë rreth të 60-ave, me të cilin pasi u përshëndeta shkëmbyem nga një cigare dhe filluam të bënim nga pak muhabet.
Nga je, mor bir, më pyeti.
Jam nga Dukatii Vlorës, i thashë.
Po ç´të ka sjellë ty këtu, mo?
I shpjegova qëllimin për të cilin kisha vajtur. Historinë e Borovës e di, vazhdova unë, se e kam bërë në shkollë, por tani që e pashë me sy, u preka shumë. S´ka më keq sesa të vrasësh foshnjat në djep.
Burri, thithi fort cigaren, më kapi nga krahu e, duke më parë drejt në sy, më tha: Mirë na e bëri, mirë. Në atë masakër unë kam humbur tre pjesëtarë të familjes. Vetë kam qenë i internuar në Gjermani. Ah, mo djalkë! (Nxori shaminë dhe fshiu lotët). Ai (gjermani) s´kishte punë me ne. U fut në Qafë të Thanës, kaloi Linin, Pogradecin, Maliqin, Korçën, Dvoranin, Floqin, Ersekën, Taçin (më tregoi edhe të tjerë emra fshatrash) e deri sa erdhi tek ne, këtu në Borovë. Gjatë kësaj rruge të gjatë, gjermani nuk e ktheu kokën as majtas e as djathtas. Ai po kalonte për t´u futur në Greqi tek Tri Urat. Ne i zumë rrugën. Ata na thanë, . Ne, jo që jo. Dhe ai, bëri atë që bëri!
Emocione dhe ftohtë. Burri dridhej e cigaret nuk i pinte, por i hante.
Nuk dija ç´t´i thosha. Veç keqardhjes, mbeta edhe i hutuar. Si mund të fliste një borovar ashtu. A kishte edhe të tjerë me këtë mendim? A kishte biseduar me të tjerët, siç bisedoi me mua? Fundja, pse duhej të ma thoshte?
Kaluan vite. Gjithmonë e kam kujtuar fjalën e tij . Pas 15 vjetësh, me një shokun tim, udhëtojmë për në Vithkuq për të hulumtuar lidhjet që ka Dukati me këtë zonë. Shoku na shpuri tek një miku i tij, neuorolog i njohur me origjinë nga Leskoviku, që jetonte në Korçë. Gjatë bisedës fjala shkoi te lufta dhe më pas tek Borova. Unë nuk i thashë asgjë, por vetë ai, pasi u mendua pak, më tha se ajo tragjedi mund të ishte shmangur, sepse gjermanët ishin në ikje, Dikush i provokoi, por tani kanë kaluar kaq kohë dhe s´ia vlen të hapësh të tilla debate. Historia, më tha ai, i ka mësuar njerëzit me një variant dhe tani, do të ishte herezi t´u thuhej se gjakderdhja erdhi për tekat e njërit apo tjetrit, apo thjesht si një provokim. Ai tha se masakra është e vërtetë, nuk ka asnjë shtesë, por shkaku i saj nuk është plotësisht i qartë.
Unë u habita, se si edhe ky person kishte të njëjtin mendim me atë që kisha takuar në Borovë 15 vjet më parë. Pavarësisht këtyre dy episodeve, mendoj se tani ka ardhur koha që historianët, qoftë edhe të zonës së Kolonjës, të ndërmarrin studime serioze, deri edhe në arkivat gjermane për të mësuar të vërtetën e kësaj tragjedie dhe masakre çnjerëzore.
Me respekt, Elmaz Rodaku, Vlorë




Ska anëtarë që kanë komentuar " Borova dhe historia "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment