Nga Prof Ago Nezha

Portreti i tij madhështor

Na ndodh shpesh herë të njihemi me figura të shquara, heronj, apo artistë nëpërmjet veprave dhe bëmave të tyre dhe kur e bie rasti të kontaktosh me ta, duket sikur janë miqtë e tu.

Kështu më ka ndodhur edhe me rapsodin Xhebro Gjika, për të cilin kisha një bagazh të madh rreth personit të tij, që tashmë i kishte kaluar kufijtë e Vlorës e të Labërisë dhe qe bërë një figurë popullore nëpërmjet bëmave dhe humorit të tij therës.

Ishin vitet e rinisë kur po ecja në Sheshin e Flamurit me një mikun tim veteran Kamber Alikon. Në drejtimin tonë po vinte një burrë që më befasoi për nga madhështia, krenaria, bukuria dhe energjia që shfaqte. Mbasi u prezantuam, në kujtesën time u ngulit portreti i tij madhështor që të kujton ato figurat mitologjike që nuk shuhen kurrë.Xha Xhebrua ishte një enciklopedi popullore. Bëmat e tij janë kthyer në legjenda që kalojnë gojë më gojë nga jugu në veri. E përmend emrin e xha Xhebros në mjedise shoqërore dhe për çudinë e të gjithëve njerëzit fillojnë e tregojnë episode, bëma, romuze të këtij aktori të madh popullor, të diplomuar në shkollën e madhe të jetës. Duke e kujtuar takimin e parë të pashlyeshëm më lindën këto vargje rreth portretit të tij.

Si lis qëndronte në këmbë

Ecte me hap të rëndë

Ecte fort e tundte vende

Brilant kish fjalë e këngë

Lum e lum për atë nënë

Që kish pjell e bërë drenë

Një artist i lindur

 

Natyra ishte treguar shumë dorëlëshuar për të skalitur portretin e Xhebro Gjikës. Trupi i tij prej artisti mbulohej nga rrobe tradicionale; pantallona qillota, me kallçina që të dukesh se ishte në ndonjë rol artistik.

Jo vetëm portreti fizik e bënte të veçantë, por edhe mënyra e komunikimit. Ai di të flasë, të komunikojë, bisedojë me të gjithë shtresat e kategoritë shoqërore. Ndihet i këndshëm në bisedë me fëmijët, me gratë, me të rinjtë me pleqtë, me fshatarin e me qytetarin, me bariun e me profesorin, me punëtorin dhe me udhëheqësin, një aktor i vërtetë, i përgatitur në teatrin e jetës që çdo rol që t’i besoje e realizonte me mjeshtëri.

Bashkëbiseduesit pyesnin çfarë shkolle e kish përgatitur këtë gjeni popullor: jeta, talenti, dhuntia e individualiteti, tradita labe tërbaçiote. Xha Xhebrua e ka kaluar jetën me kërrabë e fyell në dorë, mal më mal e stan më stan, pranë tufave me çoban.

Të çudit fakti kur dëgjon nga bashkëpunëtorët e tij që xha Xhebrua kishte një vizion për jetën të një njeriu të kulturuar, sa që përpiqesh të krijonte kushte sa më komode edhe në majë të malit. Sa flet fakti që në vendet ku instalohej kopeja si në Shashicë të Vlorës, Kulmak të Skraparit apo në Mazrek të Korçës ai kishte krijuar fushë volejbolli dhe basketbolli duke vendosur një rrjetë dhe dy kosha, për t’u krijuar mundësi barinjve që të argëtoheshin. Pra, ai kishte një botë të gjerë, ishte një artist i lindur.

Ai dinte jo vetëm të shkruante me mjeshtëri por edhe të këndonte e kërcente plot hijeshi. Kënga e tij rridhte si katarakt e gjëmonte si valët e detit e kumbonte me melodinë e zileve e këmborëve. Xhebro Gjika jo vetëm që e ndjente këngën por edhe muzikën. Disa këngë lirike ai i shoqëronte me fyell që ishte mjaft virtuoz dhe siç thotë autori i librit “Rapsodi Xhebro Gjika” Dr. Bardhosh Gaçe, xha Xhebrua ka qenë padyshim ekzekutuesi më virtuoz i fyellit, në tërë krahinën e Mesaplikut. Por ai dinte të përcillte jo vetëm gëzimet por edhe hidhërimet nëpërmjet vajtimeve e ligjërimeve karakteristike labe që shquhen për vargëzime dhe dramacitet të thellë.

Kalorës mes luftërash.

Xhebro Gjika erdhi në jetë për të provuar të gjitha rolet në teatrin e madh të jetës. Ai udhëton si kalorës në epoka të ndryshme luftërash e pune.

Nuk janë të rastit që kudo është në pararojë. Ai ka marrë pjesë aktivisht në disa luftëra me karakter çlirimtar. Nisi luftërat me epopenë e 1920, kundër pushtuesve nazifashistë në 1943. Ka treguar trimëri në luftën e Drashovicës ku edhe është plagosur rëndë. Për veprimtarinë e tij antifashiste është arrestuar nga pushtuesit në shkurt të vitit 1944 dhe është internuar në kampin e përqendrimit nazist në Banicë dhe më vonë në Zemun të Jugosllavisë. Por asnjë herë nuk u ligështua sepse ndjenja për atdheun, për lirinë e kish bërë të papërkulur. Ai i përjetoi luftërat jo vetëm si patriot e luftëtar por edhe si kronikal që jua ka përcjell brezave nëpërmjet vargjeve. Ai i këndoi plot epizëm luftës së Vlorës së 1920. Aty përshkruhet heroizmi i popullit tonë, heronjtë e spikatur si Selam Musai, Zigur Leloja, Sali Murati, Hodo Dukati, Selman Hyseni, etj. Nëpërmjet vargjeve satirike ai shpreh urrejtjen ndaj bejlerëve dhe agallarëve që u bashkuan me pushtuesit dhe tradhtuan çështjen kombëtare. Kur lexon vjershat e xha Xhebros nëpërmjet rreshtave mëson edhe historinë e luftërave legjendare të popullit tonë. Aty përshkruhet trimëria, heroizmi, sakrifica, që kalojnë stafetë nga njëra luftë në tjetrën. Por ai nuk harron të gdhend në vargje portrete heronjsh e luftëtarësh. Mjaft prekëse janë vargjet e shkruara në kampin e përqendrimit në Zemun të Jugosllavisë. Që kur kam ikur nga fshati/ gjer më sot/ më ka marrë malli shumë/ s’duroj dot/ Jam i rrethuar në tela/ si një zog/ gjermanin që më bën roje s’e shoh dot.

 

Por ai se humbet shpresën dhe besimin për të ardhmen. Dhe këtë e jep nëpërmjet vargjeve: Do të vijë shpejt o koha/ që të vij/ derën time se harroj/ do të trokëllij…” Vargjet e xha Xhebros nuk kanë munguar për as një ngjarje, histori apo ndodhi me karakter patriotik e shoqëror. Ai ka qenë tepër sensibël në rrugën e jetës dhe si sqimatar nuk i ka shpëtuar as një detaj… Ansambli familjar

 

Do rridhte koha dhe një ditë si pa kuptuar unë u bëra mik me vajzat dhe djemtë e xha Xhebros. Ata janë shpërndarë si zogjtë në foletë e tyre në Tiranë dhe Vlorë. U bë shkak promovimi i librit “Rapsodi Xhebro Gjika” me autor folkloristin Dr. Bardhosh Gaçe ku u bashkuan jo vetëm pjella e tij, por edhe miq, shokë e dashamirës. Një libër, një kujtim, një biografi e pasur, ku folën shumë pjesëmarrës duke treguar grimca nga jeta dhe veprimtaria e Xhebro Gjikës. Njerëzit sot i ka ndarë puna që i ka larguar ,por edhe bindjet politike që i kanë armiqësuar. Në veprën e xha Xhebros jepen mesazhet e dashurisë, miqësisë dhe vëllazërimit midis njerëzve. Ai nuk kishte paragjykime i donte dhe i respektonte njerëzit. Shtëpia e tij ishte gjithashtu e hapur për njerëzit e mirë. Me humorin e tij karakteristik një herë i tha njërit prej djemve të tij Bari Hazizit, kur të vish bjer edhe ndonjë mik mos ec vetëm, se vetëm të ha ujku. Dhe këtë porosi të babait ai e vuri në vend dhe në një rast mori dhe një shokë. Mbasi u përgatit darka, filluan të pinin por miku nuk e përdorte rakinë dhe xha Xhebrua u kufizua dhe muhabeti u bë pak i vakët. Kur i përcolli xha Xhebrua i tha djalit, mos na bjer miq që nuk dinë të pinë në tavolinë. Herën tjetër Bariu gjeti një usta të pijeve Ligorin dhe i shkuan xha Xhebros për darkë.

 

Nisi darka e muhabeti dhe miku i kthente gotat me fund. Kaloi mesi i natës dhe u mbarua tamazani i rakisë. Miku kërkoi raki dhe xha Xhebrua shkoi te komshiu dhe mori një shishe për t’ju përgjigjur kërkesës së mikut. Të nesërmen që i përcolli i tha djalit: biro herën tjetër të mos më biesh as si ai miku i parë por as si ky i dyti që donte një fuçi të ngopesh.

 

Kavalierllëkun, mikpritjen, bujarinë e Xhebro Gjikës e kanë provuar shumë njërës, nga e gjithë Shqipëria.

 

Por edhe fëmijët e tij kanë trashëguar virtyte të çmuara si fidanë që kanë dalë nga pema gjigande, Xhebro Gjika. Nipi i tij Kujtimi që e ka emrin dhuratë nga gjyshi, kur e prezantova me shkencëtarin Ahmet Osja, ai u entuziazmua se e njihte me detaje veprën e xha Xhebros. Po kështu në një rast tjetër me një nga vajzat e xha Xhebros Lavdien, kur e prezantova me artistin e madh, nderin e kombit Kadri Roshin, ai plot respekt u përgjigj unë kam qenë për darkë tek babai juaj. I solla këto episode për të treguar që xha Xhebrua ishte një figurë popullore që tregime të tilla ka pa mbarim…

Gjurmët e humorit

Na kanë dështuar mushkat

Jo vetëm punonjësit e bujqësisë e kanë të skalitur dialogun e xha Xhebros me veterinerin e Ministrisë së Bujqësisë por ajo ka fituar qytetari më të gjerë.

Një veteriner i Ministrisë së Bujqësisë që kishte mbaruar jashtë shtetit shkon për kontroll në ndërmarrjen blegtorale të Vlorës. Mbasi njihet me gjendjen, mbetet i kënaqur për mbarështimin e të imëtave dhe pyet xha Xhebron po mushkat dhe pelat si i keni. Mirë iu përgjigj xha Xhebrua, por na kanë dështuar 40 mushka. Si është e mundur që para kësaj gjendje mbani një qëndrim indiferent dhe nuk keni lajmëruar Seksionin e Bujqësisë dhe Ministrinë e Bujqësisë. Dhe menjëherë i bën informacion Ministrit të Bujqësisë.

Në një mbledhje Ministri i Bujqësisë e pyet veterinerin kush ta dha atë të dhënën për dështimin e mushkave? Ai u përgjigj: drejtori i ndërmarrjes, Xhebro Gjika. Bukur ta ka punuar xha Xhebrua, por nuk e di ti se s’pjellin mushkat. Ai u skuq. Kur e takoi ministri xha Xhebron i tha po ç’kishe bërë me veterinerin, ja kishe mbushur bllokun me dështime mushkash. Djem të tillë na i dërgo, i tha xha Xhebrua , se me praktikën tonë dhe shkollën e tyre do bëjmë që të pjellin dhe mushkat.

Ti kthejmë kullotat në toka për patate

Kryeministri kishte dhënë porosi që kullotat e Shashicës të mbillen patate. Xha Xhebrua i kish ndaluar traktorët që të plugonin. Kur kthehet kryeministri i raportojnë se e ka penguar përgjegjësi i blegtorisë. Dhe ai shtron një drekë në Ujë të Ftohtë ku kish thirrur edhe Xhebro Gjikën. U shtruan të hanin, buka ishte me patate. Ha një çikë bukë se është e mirë i tha kryeministri, me ironi. Xha Xhebrua futi një copë bukë në gojë dhe bëri sikur u mbyt. Ç’pate i tha kryeministri i shqetësuar.

E mirë është kjo buka e patates shoku kryeministër por do edhe një çikë qumësht që të përcillet poshtë. Nënteksti ishte që po shkatërrojmë blegtorinë.

Kujt t ‘ia lemë Vlorën

Në vitin 1966 doli burokracia me leitmotivin “Burokrat, burokrat merr valixhen e shko në fshat”. Kudo vinin anëtarë të Byrosë Politike të deleguar. Në Vlorë ishin mbledhur në kinoteatër rreth 700 vetë ku bëhej thirrje që të linin qytetin dhe të shkonin në fshat. Askush, s’po fliste. Në presidium Kadri Azbiu, Ministër i Brendshëm i asaj kohe. E theu heshtjen xha Xhebroua. Të gjithë kthyen sytë drejt tij dhe prisnin që të solidarizohej me thirrjen e Partisë mbasi ishte patriot i nderuar.

Me leje tha ai dhe u ngrit në këmbë. Unë jam dakord të shkoj në fshat. Ne ishim në fshat vazhdoi ai dhe në 1912 na thanë erdhi greku në Llogora, morëm dyfekun me gjalmë dhe shkuam e luftuam dhe e përzumë grekun. Në 1920, erdhi italiani, shkuam në Vlorë dhe e hodhëm në det. Në 1939 erdhi përsëri italiani e gjermani dhe zbritëm me vrap nga fshatrat, luftuan dhe e çliruam Shqipërinë dhe ndejtëm në qytet, se na u bënë këmbët gjak ec e ja poshtë e lartë. Po të ikim ne nga qyteti kujt t’ia lemë Vlorën, jevgjve, sepse vetëm ata janë vlonjatë dhe do ta marrin të huajt përsëri. Megjithë ndrojtjen plasi e qeshura në sallë. Sollëm disa grimca humoristike nga gjithë ajo pasuri që ka lënë xha Xhebrua që janë përfshirë në libra e që ka akoma gjëra të reja për të thënë. Duke mbyllur këtë reportazh nuk pretendoj se shpalosa veprimtarinë e xha Xhebros me përmasat e krijimtarisë së tij, por kam një obligim dhe mendoj se vura një gur në murin e madh të ndërtesës që lartësohet nga koha me kontributin e secilit që ka për të thënë në faqet e revistës bujqësore që duhet të gjejnë veten figurat e bujqësisë dhe xha Xhebrua është ndër ata : “që një jetë intensive ja kushtoi blegtorisë”.

 

*Marre nga Gazeta “Ndryshe”

 

E Merkure, 02 Korrik 2008