Nga Ago NEZHA

 

Kënga polifonike dukatase,“Sazan e Karaburun janë vatanet e mia” vjen si një jehonë thirrëse, në kujtim të plakut të mençur Ismail Qemali, që luftoi e punoi për pavarësinë dhe mbrojtjen e kufijve shqiptarë. Dukatasit e sotëm, bijtë e atyre me të cilët Ismail Qemali bëri takim në Llogara dhe në Ravenë të Karaburunit, takim i cili është përjetësuar me një lapidar, nuk janë bërë akoma pronarë në trojet e tyre. Ato nuk janë më të pushtuara nga të huajt, por të mohuara nga ligjet kacavjerrëse të parlamentit shqiptar, që, edhe pas 15 vjetësh nuk kanë gjetur një shprehje demokratike. Kjo situatë ngjan me utopinë marksiste-bolshevike, sipas së cilës “mbretëria e vërtetë e lirisë” do të fillojë vetëm atëherë, kur të eliminohet prona private dhe pronari të endet si çifuti nëpër shkretëtirë. Banorët e parajsës tokësore të këtij vendi të begatë e të privilegjuar nga natyra, kanë humbur të drejtën natyrore të pronësisë, për hir të pazareve politike. Në rendin e pronës private, në fushën e ekonomike, kuptojmë fuqinë për të zotëruar prona të luajtshme e të paluajtshme nga ana e një personi fizik apo juridik, fuqi kjo, e njohur juridikisht dhe që përjashton çdo ndërhyrje nga ana e të huajve. Dhe përveç kësaj, kuptojmë edhe të drejtat e obligimeve në ekonominë moderne, dhe të drejtat materiale (brenda disa caqeve), si e drejta e autorit, domethënë gjithçka që paraqet një “pasuri”dhe këto po fitojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe. Është prona private ajo që identifikon —dashurinë e të drejtës për veten—, i garanton njeriut pavarësinë, lirinë e zotërimit dhe autonominë, duke qëndruar kështu në lidhje të ngushtë me dinjitetin dhe me të drejtat e tjera të çdo personi. Duke u mohuar pronën e trashëguar pronarëve tradicionalë, i zhvesh ata nga personaliteti, nga autonomia personale e familjare dhe ua ngushton lirinë njerëzore.

.Për këtë arsye, Shoqata Kulturore Atdhetare “Dukati” u mblodh në një tubim të gjërë, me pjesëmarrës nga të gjitha shtresat dhe trevat ku jetojnë dukatasit, si nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Orikumi dhe komuniteti vendas, për të shqyrtuar disa dukuri që, në mënyrë tangenciale, atakojnë në vazhdimësi, prej vitesh e në mënyrë permanente, pronat e dukatasve, nën etiketimet fantazmagorike”Park Kombëtar”,”Zonë Ushtarake” e të tjera sofizma si këto.

Reformën që u zbatua në vitin 1991 me ligjin 7501, dukatasit e mbështetën, me motivin që bashkëfshatarët e tyre, ato familje që nuk kishin tokë, të mos mbeteshin pa mjete jetese. Toka u mor për ta përdorur dhe shfrytëzuar, për të siguruar të ardhura minimale të domosdoshme për familjet fshatare. Por përvoja 15- vjeçare po tregon se toka nuk punohet, është e braktisur dhe pronarët e rinj e mbajnë atë peng, megjithëse s’është pronë e të parëve të tyre. Ligji 7501, ekskluzivisht, ka nenin 15-të, ku sanksionon klauzolën se poseduesi i tokës, po nuk e punoi atë për një vit, e humbet të drejtën e pronësisë për tokën dhe për më tepër, pronësia e kullotave dhe e pyjeve i kthehet ish- pronarit legjitim. Të gjitha veprimet për tokën kanë një stanjacion të gjatë, gjë që tregon se vullneti politik ka munguar dhe mungon brenda realiteteve krahinore.

Shoqata e Dukatit është e shqetësuar nën peshën e këtyre prapësive, që kanë kohë, që i vijnë rrotull si hije e zezë mbi kokë komunitetit vendas. Ka pasur dhe vazhdon të ketë përpjekje institucionale të shkruara nga organet shtetërore, të shprehura tashmë me projektvendime, për ta anashkaluar apo mohuar të drejtën shekullore pronësore të dukatasve mbi hapësirën territoriale të zonës ekstreme Llogara-Karaburun. Ky synim tentohet të arrihet nëpërmjet aprovimit të vendimit për”Zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar Llogara-Karaburun”. Në gjykimin e dukatasve, ata respektojnë kriteret e shëndosha për krijimin e parkut kombëtar me respektimin e klauzolave që përmban ligji, brenda respektimit të të drejtave të autorësisë së pronarëve. Këto resurse janë historikisht të njohura si burim jetese dhe pasurie të këtij komuniteti. Për traditat e lashta dhe potencialet trashëguese, flasin dhe gjakderdhjet, siç është rasti i një plaçkitjeje, që u përpoqën t’i bënin bariut dukatas, Thanas Korros me 3000 krerë bagëti, i cili së bashku me djemtë e tij luftoi për të mbrojtur pronën duke sakrifikuar edhe fëmijët.

Me të drejtën natyrore të pronës private, nuk ka atribute asnjë subjekt politik, pavarësisht nga çdo lloj ligji njerëzor që të bëhet menaxhues dhe autoritet legjitim, për të vendosur administrimin e saj. Liderët e së majtës dhe të së djathtës, në kor, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, premtuan dhe trumbetuan në mënyrë butaforike me të madhe, në vallen e gënjeshtrës elektorale, në podiumet e Orikumit, se do të legalizohen pronat e dukatasve, kudo që janë nga Llogaraja në Karaburun. Do t’u njihet pronësia orikumasve, që i kanë tokat prej 15 vjetësh në përdorim, e që tashmë janë braktisur, megjithë pjellorinë e lartë fizike që kanë, Do të hapet porta e Pashalimanit, e do ngrihet trau i postbllokut ushtarak, që qëndron prej gati gjashtë dekadash si shpata e —Çezarit— mbi kokat e dukatasve. Këto e plot premtime të tjera të bujshme e me bollëk, saqë, kur i dëgjoje, jo vetëm që entuziazmoheshe për “parajsën e premtuar”, por të vinin padashur ndërmend fjalët e rilindasit të shquar Naim Frashëri,”lum kush të rrojë, ta shohë zonjë”. Në fakt po ta shohim nga lartësitë e viteve të kohës së pluralizmit, ajo trevë është një “zonjë” e mjeruar ekonomikisht, megjithëse resurset dhe privilegjet që i ka falur natyra, s’e përligjin këtë situatë keqardhëse. Jo pak, por u bë një vit nga koha kur u bënë zgjedhjet dhe u derdh breshëria e premtimeve nga politikanët e të dy krahëve, që ishin në garë kush të ofronte më shumë zgjidhje, dhe sot të gjitha premtimet janë tretur në eterin e politikës. Deputeti i zonës, z.Ardian Kollozi, që është fitimtar i ligjëruar me votën e atij komuniteti, duhet të marrë përgjegjësitë e premtimeve dhe t’u japë zgjidhje.

Kërkesat e dukatasve nuk janë pretendime të kundërligjshme, përkundrazi, një e drejtë e tyre e mohuar në vite. Qeveria demokratike, që si mision të saj ka drejtësinë, duhet t’ua njohë këtë të drejtë. Përvoja botërore në këtë sens nuk mungon. Kudo ka territore turistike edhe në vendet fqinj, por ato administrohen nga pronarët. Shteti, kur ka interesa kombëtare, bën marrëveshje të ndërsjellta dhe futet në tratativa me shoqëri apo subjekte të huaja, sipas kritereve të përfitimeve reciproke.

Arbitrariteti në një shoqëri demokratike, është pjellë e dështimit. Nuk do të ketë qetësi shoqëria, përderisa prona për 15 vjet e në vazhdim, ka mbetur si një lavjerrës, që e lëvizin qeveritë në paradë, sipas profecive të tyre.

Përdhunimi i pronës dhe prostitucioni ekonomik, është tragjedia më foshnjore e demokracisë shqiptare, që synojmë të ndërtojmë dhe më fatalja për kombin tonë, që e ka nxjerrë pronën në ankand, për interesa partiake, sa herë që ndërrojnë kalorësinë partitë.

Kudo në vendet e Lindjes, prona i është njohur pronarit dhe ligjet kanë qenë njëlloj të zbatueshme si në fshat ashtu edhe në qytet. Vetëm Shqipëria bën përjashtim si zakonisht në tradicionin e saj të trashëguar.

Donkishotizmi shqiptar është ngjitur si vemje pas trupit dhe s’po na shqitet. Shpirti i shqiptarit ngjan me një det të trazuar. Problemi i pronës e ka shpërfytyruar, denatyralizuar, depersonalizuar pronarin e ligjshëm, për t’u përdorur nga politika si një lodër, që i bien fort sa për të bërë zhurmë, për të dëgjuar të tjerët, por jo klasa politike. Ndërgjegjja politike e politikanëve është e përgjumur. Ajo do të zgjohet, kur komuniteti do të ndërgjegjësohet dhe do të kuptojë se e majta dhe e djathta janë dy gjymtyrë që i shërbejnë të njëjtit trup dhe lajnë fytyrën në të njëjtin burim.

Shqipëria ka fatkeqësinë që s’ka të djathtë reale, të vërtetë, veç klaneve koniunkturale që dalin me flamurin e së djathtës, për të mbledhur thërrimet që mbeten në sofrën e zgjedhjeve parlamentare, për interesa të vogla meskine e vetjake, duke harruar interesat e asaj shtrese të shoqërisë që përfaqësojnë.

Edhe sot, edhe mot, prona pa zot ,është dhe do të mbetet molla e sherrit.

Ky lajm është publikuar: 24/07/2006 gazeta “Ballkan”