Faleminderit, e dashur Labëri!
Nga Albert R. Habazaj
Vlora priti e nderoi bijtë e Labërisë, ata që së bashku me të tjerë i kanë rritur vlerat trevës sonë, ata që së bashku me të tjerë i hijeshojnë nurin Nënës së gjithë labëve. Teatri “Petro Marko” i qytetit bregdetar u bë shtëpia e madhe e dasmës labe. Shoqata “Labëria”, Vlorë organizoi takimin festiv: “Labëri, diell e hënë/ që kur lindëm të thamë Nënë…”
Kjo ceremoni tepër vëllazërore dhe shumë e bukur, saqë dhe një ansambël i famshëm profesionist do ta kishte zili për mënyrën e organizimit dhe realizimin e interpretimit, u pëlqye shumë dhe la mbresa të fuqishme te të pranishmit, sepse u bë me shpirt, art e dashuri, sepse nderonte disa nga emrat simbolikë të Labërisë dhe konkretisht Mustafa Dedenikën, Feti Brahimin, Kujtim Micin, Manxhar Binaj, Gafur Shametin dhe Qirjako Balën (pas vdekjes). Morën pjesë grupet polifonike të Tërbaçit, Dukatit, “Bilbili ”, këngëtarja e re vlonjate, e mirënjohura Rovena Ibrahimi, bijë e mbesë në Labërinë e Vlorës, e cila bëri dhe konferencieren e veprimtarisë. Zëri i saj i ëmbël përvetësimi i libretit, siguria krijuese dhe pasioni admirues i Rovenës, bënë që ajo ta zotëronte sallën tërësisht, se mbushej me krenari te Labëria, se plotësohej me respekt te gjashtë figurat e nderuara që dekoroheshin, se frymëzohej në gurrën popullore që gurgullonte nga grupet labe si një thesar i paçmuar. (Gjashtë ishin emrat e atyre që nderoheshin sipas programit të shoqatës labe të Vlorës, se labët e Qendrës na sollën surpriza të paparashikuara nga Tirana, të cilat do t ia bëjmë të ditur lexuesit të respektuar të gazetës sonë të dashur “Labëria”, që botohet si suplement i gazetës së njohur
” Ndryshe” falë bujarisë dhe shpirtit të gjerë fisnik të labit të ditur e të përkushtuar av. dr. Bashkim Nikolla.
Libreti ishte përgatitur nga poeti Albert Abazi, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës dhe i shoqatës “Labëria” po për Vlorën. Konsulentë ishin folkloristi dhe poeti Namik Jahaj, anëtar i kryesisë së shoqatës “Labëria” për degën e Vlorës si dhe ing. Sejmen Gjokoli, poet, publicist, kryetar i shoqatës “Labëria ” për degën e Vlorës.
Një skenë e përgatitur tamam për një festë të veçantë si ajo e të mërkurës së 18 qershorit 2008, ku fiks në ora 11.oo , del fyelltari Vendim Kapaj duke luajtur me fyell e mbas tij grupet polifonike pjesëmarrëse, që ulen në vendet e tyre përkatëse do të kishte patjetër një sallë të mbushur plotë, si rrallë herë me miq, dashamirës, nëna, baballarë, vëllezër, motra, bij, bija, nipër, mbesa…Kishin ardhur dhe përfaqësues të shoqatave simotra “Çamëria”, “Cakrani”, “Zagoria”, “Gora” etj. Kishin ardhur edhe politikanët e pushtetarët e Vlorës, të majtë e të djathtë. Bij Labërie dhe Vlore janë dhe ata. Sa mirë! Me këtë rast, shoqata jonë “Labëria” realizon mrekullisht dhe një nga misionet më të larta të saj, krahas ruajtjes së vlerave kulturore dhe shpirtërore, mbajtjen e njeri-tjetrit si vëllai-vëllanë, unitetin dhe jo përçarjen, dashurinë dhe jo urrejtjen, bashkëpunimin dhe jo njëri gozhdës tjetri patkoit…Jemi vëllezër. Bij të një nëne, të Labërisë, që siç na do, ta duam shumë, se atje ” kemi lerë “, siç këndon dhe Çajupi ynë i shquar.
…E si një burbuqe e qeshur çel festën konferencierja:
Labëri, moj supezënë
Një me diell, një me hënë
Që kur lindëm, të thamë nënë!
Shoqata “Labëria” , Vlorë për të respektuar e nderuar disa nga figurat dhe veprimtarët e saj organizon sot këtë takim festiv.
Ftoj z.Sejmen Gjokoli, kryetar i shoqatës “Labëria” , dega Vlorë për të hapur këtë veprimtari të shkrirë në polifoni. Dhe del në skenë, pranë mikrofonit veprimtari i palodhur, Sejmen Gjokoli, që përshëndet e uron mirëseardhjen dhe ne e kuptojmë që sa të lehtë e ka këtë mision, aq dhe të vështirë e ndjen ai, sepse flet para Burrave të Labërisë. Si i zoti i festimit di t’i zgjedhë fjalët e urimit, se ka pirë ujë burimi, në gurra nga ato të fillimit, aq të pastra, aq të kthjelltë, sa folklori i pashtershëm lab.
Veprimtaria futet në hullinë e saj, për respekt të dëshirave të njerëzve bërë së bashku te “Petro Marko”, që u shndërrua një ditë të tërë, Tempull i Labëve.
Vijon kumbueshëm konferencierja:
Sa herë dëgjojmë këngët magjike të Pilurit, çmallemi me të paharruarin tonë, korifeun e kthimit virtuoz, Qirjako Bala. Qirjakoja, së bashku me Katinën e Monen, nën komandën e gjeneralit të këngës piluriote, Lefter Çipa, shkruan historinë e këngës së Bregut. Edhe kënga dashka trima. Trima si Qirjako Bala: zemërbardhë, fjalëqeshur, buzagaz e shikim
ëmbël, bujarë e të thjeshtë si e vërteta e jetës. Nuk pyet shkëmbi nga vala, është me ne Qirjako Bala! Kur ia kthente këngës ai burrë, dukej sikur një zë mitologjik, dalur madhërishëm nga antikiteti zotëronte skenat e festivaleve, me një energji kozmike të patjetërsueshme. Ky ishte Qirjako Bala, ky është, ky do të jetë: Gurgullimë jehonash labe!
Në mikrofonat e skenës zë vend grupi “Bilbili” me Vasil Serën, Sinan Gjolekën e Spiro Çinon me shokë, që na duket sikur me zërat e tyre shpërndajnë lule trëndeline anembanë nëpër sallë.
Nënkryetari i bashkisë së Vlorës dhe kryetar i shoqatës “Smokthina” ing. Halim Dervishi Diplomën “Nderi i Labërisë”, akorduar të pavdekshmit Qirjako Bala ia dorëzon mikut më të ngushtë të tij, vetë Lefter Çipës! Çaste vërtet prekëse kur Perandori i Këngës Himariote sot, i rralli Lefter Çipa hipën në skenë, merr dekoratën, flet fjalët e tij të shpirtit që janë vërtet Lule Mallëgjimi dhe tufën me lule të freskëta që i dhuruan ia fal grupit të Tërbaçit, Syrjat Hodos në dorë, në nderim të Grupit të Madh dhe Kujtim Micit Titan. Është kuptimplotë ky veprim simbolik e fisnik, që e bën vetëm Lefter Çipa, që i takon ta bëjë vetëm ai, që di ta bëjë vetëm ai.
Sepse ja si vijon ceremonia. Flet Rovena, shumë dinjitoze në prezantimin e veprimtarisë.
…Ngule gjurin,shtrove synë,
Gjithmonë godite në shenjë’
S’shkrove histori me bojë
Po me gjak nëpër shkëmbenjë!
Ky është Kujtim Mici,vigan si vargu i këngës së tij madhështore.
Një personalitet i përmasave të tilla si Kujtim Mici rrallë i vijnë jo vetëm këngës labe,por në tërësi folklorit shqiptar. Kujtim Mici e ngriti këngën e Tërbaçit në kulmet më të larta, që për nga fuqia shprehëse dhe aftësia interpretative mbetet tërësisht origjinale e mahnitëse.
Kujtim Mici i këngës dhe valles së paarritshme tërbaçiote është në panteonin e folklorit brilant të Labërisë. Emri i tij është shpalosje e pambarimtë vlerash, një thesar i veçantë dhe një krenari dinjitoze e krijimit popullor. Në çdo festival folklorik që shkonte Tërbaçi i Kujtim Micit, pa diskutim që do të meritonte flamurin. Po ky Tërbaç, do të gjëmonte tok me Vranishtin e Muhamet Tartarit të palodhur skenave evropiane e si askush tjetër do të merrte në vitin 1986 Çmimin e Madh: Evropa për Zhvillimin e Folklorit”, duke rritur ndërkohë dhe vlerat kombëtare të Shqipërisë në kontinent. Për të gjitha këto kontribute Kujtim Mici është një nga ata të rrallë modele, që duhen marrë shembull nga njerëzit, që duan të bëjnë Këngën e Vërtetë.
Thellë në Gryk’ të Mesaplikut
Pa frik’njëshi është Kujtimi,-shkruan poeti Namik Jahaj-
Kur qëndis vargje të serta
Thonë vrehet si Çipini…
Ja, pra, përsëri, ky është Kujtim MICI!
Është deputeti i Labërisë së Vlorës, Besnik Dervishi që i jep dekoratën simbolike udhëheqësit artistik të grupeve tërbaçiote, rapsodit të madh, krijuesit të admirueshëm që e gdhend fjalën e këngëzuar si ustai gurin, atij që si askush tjetër punoi me grupin e pleqve të vendlindjes, për të ruajtur traditën, që punoi me grupin e burrave të Tërbaçit, për ta pasuruar atë, që punoi me grupin e vajzave të shkollës së mesme të Bratit (shumica tërbaçiote) për ta zbukuruar hijshëm atë, që punoi me grupin e pionierëve të shkollës 8 vjeçare”Halim Xhelo”, të cilin e krijoi vetë që më 1969, me nxënësit e klasës së tretë në Gryka, me Nazon e Daute, Krenar Mehmetin, Shpresën e Kapue e filiza të tjerë për ta transmetuar atë traditë e për ta përsosur në vijimësi. Kujtim Mici …Dhe ngjitet në skenë” mali i Tranajoit”- Kujtim Mici faqas me malin e Çikës-atë publik të mrekullueshëm e virtuoz që mbush e mban sallën të ndezur. Tranajoi hesht. Pa folur i flet shikimi, siç shkruan vetë ai, i flet qëndrimi, i flet dinjiteti, i flet Lartësia e tij e pakapshme dot! Të tërë e vlerësojnë shumë Kujtim Micin, dhe ata që mungojnë në sallë, e vlerësojnë se e meriton, se i ka dhënë Labërisë si ai. Dhe ai nuk e jep veten nga dhembja, se dhembja e tij na dhemb të gjithëve. Dhe i mirënjohuri Pelivan Bajrami nga Amerika ngashërehet vëllazërisht e na thotë se Tranajoit …”sos iu thanë dy dega lisi/ iu thanë dy lisa në këmbë!…”
(Në mikrofon zë vend grupi i Tërbaçit e shpërthen me zjarr, art, duf e dinjitet me zërin e Ratos:…”Është kënaqësi e detyrë/të nderosh burra të tillë…, sepse kënga e Kujtim Micit ka pikuar mjaltë në çdo germë e në çdo varg. Jo vetëm rapsodët e rinj, jo vetëm poetët e rinj, por njerëzit në tërësi gjejnë te Kujtim Micikrijuesin e teksteve të fuqishme në ide, në mendim, në tematikë, në ndjenjën e hollë, në krijimin e melodive aq të bukura të këngës labe, sa që të tjerët i marrin si modele të gatshme interpretimi.
“Lumthi kush e pati fat/të ngjyej në këtë mjaltë./Ajo do këndojë gjatë/male mbi male te lartë”-thotë Syrjati në këngën e tij për Dragoin e këngës polifonike labe, Kujtimin e madh e pastaj Deti, Mali dhe Vlora bëjnë iso këngës së papërsëritshme tërbaçiote “Shqipëri, nuse bregdeti”.
Pas këngës Tëbaçi rri në skenë, sepse do të respektojë djalin tjetër të vlefshëm të Labërisë, Manxharin, nga Binajt e dëgjuar të Sevasterit. Manxhar Binaj është një bir i nderuar i Sevasterit, Kudhës- Grehotit dhe Labërisë që emrin e vendlindjes e ngriti më lart në aspektin e pasqyrimit të një mendësie të lartë përgjegjësie,atdhetarie e serioziteti në realizimin e detyrave të vështira që kërkon koha e atdheu. Emri i tij është shembull i vërtetë i labit të devotshëm e dinjitoz që ka lënë gjurmë në punën kulturore-atdhetare me njerëzit, sidomos për edukimin me dashurinë për vendlindjen të brezave të rinj. Veprimtaria e Manxharit njihet e respektohet si themelues të shoqatës së krahinës së Kudhës-Grehotit dhe si antar i kryesisë së Shoqatës”Labëria” .
Çmohet gjithashtu
Çmohet gjithashtu kontributi i tij si bashkëpunëtor i palodhur i gazetës sonë të dashur “Labëria”, ku ai i bën jehonë vlerave historike të trevës dhe njerëzve që bënë histori. Diplomën “Nderi i Labërisë” ia dorëzon vetë Kryetari i Shoqatës Atdhetare-Kulturore
“Labëria” prof.as.dr. Ago Nezha të gjithë e kuptojnë që një burrë serioz si Manxhar Binaj, mbushet nga emocione të papërballueshme nga ky nderim që i bëhet. Pa mbaruar ai akoma falënderimin gjëmon kënga e mbarë njohur jo vetëm në Labëri: “O Miro, trimja Mirë!…”
Gafur Shameti-Themelues i shoqatës “Kallarati”, ideator i gazetës së vendlindjes së tij dhe anëtar i kryesisë së shoqatës “Labëria”, me një përvojë të pasur e shpirt krijues të admirueshëm, vlerësohet si një veprimtar i përgjegjshëm, serioz e përkushtuar dhe njeri i veçantë i humorit. Ky bir i respektuar i Kallaratit me kulturë, ka ditur të shpalosë vlerat e duhura shoqërore, intelektuale, letrare e qytetare, duke dhënë përvojë të mirë në mbajtjen e ekuilibrave të duhur bashkëkohorë të qytetarisë në komunikimin midis njeri-tjetrit. Ndërkohë, për dekada të tëra, Gafur Shameti ka qenë dhe vijon të jetë një motor i pafikur i Estradës së famshme të Vlorës, frymëmarrja e plotë e humorit të këndshëm vlonjat, që në interpretimin e parodistëve të mrekullueshëm të qytetit ka bërë që emri i Vlorës të shkëlqejë në këtë gjini të artit shqiptar. (Në mikrofon zë vend Zeqir Hoxha). Kryetari i Këshillit të Qarkut dhe njëkohësisht Kryetari i Partisë Demokratike të Vlorës, z. Agron Sharra i dorëzon Diplomën intelektualit të papërtuar kallaratas, që përveç ç’u tha, ka kontribut të lavdëruar dhe për përgatitjen e Antologjisë Poetike të poetëve të Vlorës, së bashku me kritikun Petrit Qejvani dhe shkrimtarin Eqerem Canaj. “Jam krenar që jam lab-tha Gafuri në përshëndetjen e tij, -sepse të jesh lab është krenari, ndërsa të të vlerësojnë si lab është nder. “Dhe fjalët e tij, si rrëke të pastra i rrëmben përroi i kthjellët i labit tipik, Zeqos së Kallaratit: “Djemtë tanë nur, o nur!…”për të mbushur lumin vërshues të polifonisë labe e që derdhet i kristaltë në detin e gjerë e të thellë të Folklorit Shqiptar. Në skenën e gëzimit del bukuroshja jonë, Rovena dhe fjalët e saj shushurinin si gjethet nga flladi pranveror:
“Të nderuar pjesëmarrës! Pak ditë më parë, në këtë sallë, kryetari i Bashkisë së Vlorës, me rastin e 70 vjetorit të lindjes, i akordoi Diplomën “Mirënjohja e qytetit të Vlorës”, zotit Halil Leli. Kam nderin të ftoj tani kryetarin e Bashkisë, zotin Shpëtim Gjika për t’ia dorëzuar Diplomën, në këtë mjedis të bukur lab, birit të Vlorës dhe veprimtarit të Labërisë, zotit Halil Leli. Biri i Kuçit kreshnik thotë “…Do të isha i lumtur, që me firmën e kryetarit të bashkisë të jetë dhe një mikrofirmë e popullit të mrekullueshëm të Vlorës e Labërisë…” dhe i thjeshtë në madhështinë e tij ai ngjan si një bredh i gjelbër, i freskuar dhe nga shushurima e ëmbël e këngës popullore vlonjate që këndon Rovena Ibrahimi.
Një figurë e respektuar në trevën e Dukatit për vlerat njerëzore, që profesionin e nderuar të inxhinierit e përdori vetëm në shërbim të komunitetit dhe ruajtjes së natyrës, si një visar për brezat është padyshim Mustafa Dedenika. Duke qenë themelues i shoqatës “Dukati”, anëtar i kryesisë së shoqatës “Labëria”, një publicist i guximshëm, polemist me ide të qarta e të kthjelltë, bashkëpunëtor i rregullt dhe në gazetën “Labëria”, sikurse në gazetën “Dukati”, inxhinier Dedenika është një veprimtar i dalluar i Labërisë dhe Vlorës. Ky është Mustafa Dedenika! Është nënkryetari i shoqatës “Labëria” z.Gafur Duda, që me mirësinë e tij fisnike i dorëzon kryetarit të shoqatës “Dukati”, nga më aktivet në Labëri Diplomën e Nderit. Falënderimi i inxhinierit është vërtet prekës, shumë i sinqertë dhe emocionues. Ai rinohet kur një vërshim pranveror del nga shtrati e zotëron sallën. Është Amazona e Dukatit, grupi polifonik i Hysni Kapo Muratit, i Fatosh S.Likës, i Taire Bozhanes, i Idajetit e atyre burrave të mirë që konkurrojnë me bilbilat e malit kush këndon më bukur…Katër këngë këndoi Dukati njërën më të bukur se tjetrën, katër marrës shkëlqyen në skenë, të katër cilësorë. Të mbushet shpirti kur dëgjon sot grupin e Dukatit!
Janë të paktë ata burra që me emrin e tyre bëhen sinonime të vendlindjes
Lapardhaja me “Janinën….” dhe Feti Brahimin janë një trinom brilant që vezullojnë në Visaret e Kombit. Folklori lab në penën dhe melodinë e Feti Brahimit u ka thënë denjësisht skenave
Evropiane: “Mirë se iu gjeta!” dhe, siç është pritur, është përcjellë me stuhi duartrokitjesh.
Labëria është e nderuar që ka një bard popullor si Feti Brahimi, që me humor të shëndetshëm e shije të hollë poetike, di të qëndis vargje si ai !…Meloditë e Feti Brahimit nuk dirigjojnë vetëm shpirtin e labëve; ato fitojnë atribute të reja për jetën artistike në tërësi, sepse janë ujë i pastër nga gurra e kthjellët popullore, që është ilaç shërimi për bijtë e Labërisë sonë. Dajua i jep dekoratën nipit. Është pikërisht kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës Eltar Deda që i dorëzon në një atmosferë gazmore bardit popullor Diplomën e lartë të trevës sonë. Dhe Fetiu me vargje humoristike interpretoi një rapsodi thumbuese që e qëndisi në vend, aty në skenë, pranë mikrofonit. Grupi i Dukatit për vlerat që ka e përshëndeti me një këngë, nga ato magjepset që dinë ata, sepse” pena e tyre e artë/nuk shpërblehet me një kartë”. Kartë populli quan dhe diplomën: “Mirënjohja e Labërisë”, por simolika e saj është shumë dinjitoze. “Dhe tani-thotë Rovena- një çast tjetër emocionues për ne dhe patjetër një surprizë sa e këndshme, aq e merituar, si dhe nderim për shoqatën “Labëria”, dega e Vlorës. Ftoj, këtu, pranë meje, përfaqësuesin e shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria” me qendër në Tiranë, të na tregojë çfarë kanë përgatitur për Vlorën. Ndërkohë afrohet në skenë grupi simpatik “Bilbili”. U shfaq dhe surpriza. E papritura në thelb ishte: Titulli më i lartë që jep shoqata ” Labëria” -Personalitet i shquar i Labërisë-publicistit, poetit, veprimtarit që mban ndezur frymën e shpirtin e folklorit lab, që di ta qëmtojë, ta ruajë, ta pasurojë më tej, që di ta menaxhojë dhe t’i bëjë promocion të suksesshëm në hapësirat ndëreuropiane e dhe botërore. Kjo dhuratë e dhënë në mënyrë të papritur i kënaqi të gjithë. Marrësi i saj, Kryetari i shoqatës “Labëria ” për degën e Vlorës, ing. Sejmen Gjokoli”, që njihet dhe si njeri i përmbajtur, nuk e mbajti dot veten. Edhe pse i rrëmbyer nga krahët e padiskutueshëm të emocioneve të paparashikuara, por më se njerëzore ai diti të falënderonte, ashtu siç i takon e ashtu siç di ai”…Me shërbimin tonë, me dashurinë tonë, me fuqinë tonë shpirtërore e profesionale… po i kthejmë një borxh të vogël, sadopak Labërisë sonë nga borxhi i madh që i kemi. Mirënjohje, Labëri!”…Dhe bilbilat e “Bilbilit” këngën: “Labëri, vend me lezete”). Ujëvarë këngë, ujëvarë gëzimi, festë vëllazërore. Sa bukur thotë Poeti i Vërtetë i Labërisë, Petrit Ruka”…Atdheu fillon te zemrat…”, fillon te nëna, te babai, te eshtrat e të parëve, te rrënja, te vetja, te fëmija, te gruaja, te motra, te vëllai, ja këtu në Vlorë, në Tepelenë, në Gjirokastër, në Mallakastër, në Himarë, në Delvinë, në Sarandë, në Turan, në Golem, në Tërbaç, në Zagori, në Labovë, në Dukat, kudo ku ka Labër, kudo ku ka njerëz të mirë, në Përmet, në Tiranë, në Kolonjë, në Krujë, në Dibër, në Elbasan, në Shkodër, në Korçë, në Durrës, në Fier, në Kosovë, në Çamëri, kudo, kudo ku ka Vëllezër, ku ka Njerëz, ku ka Shqiptarë, ku ka dashuri, respekt e dritësim fisnikërie.
…Por…por,vjen një moment…dhe Rovena, si një burbuqe e pafajshme, ndoshta pa dëshirë, por e detyruar dhe e kushtëzuar nga programi dhe normaliteti i zakonshëm i jetës sonë thotë, si me zë zane:
“Të dashur pjesëmarrës! Më duhet të deklaroj se këtu mbaron edhe veprimtaria e sotme e shoqatës “Labëria” dhe ne prapë themi:
LABËRI,DIELL E HËNË
QË KUR LINDËM TË THAMË NËNË!
“Mirupafshim, hënë e vendlindjes” përshëndet Petrit Ruka, mirupafshim, diell i Labërisë, ju rrënjët tona, mirupafshim, ju trojet e dashuria jonë e shenjtë, ditët e netët labe, mirupafshim. Faleminderit nënë Labëri dhe
Mirupafshim!





Ska anëtarë që kanë komentuar " Laberia djepi i kultures Shqiptare "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment