Lavdosh Ferruni
Pas suksesit të paparë që pati z. Berluskoni me kthimin e 18 ha në Gji të Vlorës në një extra territor Italian permanent, sukses i nisur në bashkpunim me z. Nano e i bitisur me z. Berisha, duket që ai i është kthyer udhës për një sukses edhe më të madh për zgjerimin e këtij extra territori, por tashmë për një shtrirje kohore dhjetra vjeçare, nga Karaburuni deri në Shëngjin. Këtë radhë i mjafton marrveshja vetëm me Sali Berishën. Ka të dhëna se Berluskoni po i kthehet edhe idesë së zotrimit të Syrit të kaltër. I gjithë bregdeti shqiptar në funksion të ekonomisë Italiane.
“Planet tona janë për ngritjen e centraleve (përfshi bërthamorin në Shqipëri) te fqinjët tanë” - ka thënë açik Berluskoni në konferencen e shtypit të fundvitit para gazetarëve italian. “Ne do t‘u japim energjinë në këmbim të taksave, si dhe të ndotjes së shkaktuar nga TEC-et me qymyr dhe naftë” –ka thënë edhe më açik ai tek i referohej shtrirjes së planeve energjitike në Shqipëri. Berluskoni nuk heziton aspak të deklaroj: “marrveshjet … janë në avantazhin tonë”. Nga ky prononcim vërtet i sinqertë i Berluskonit kuptohet së pari, se marrveshjet e energjisë midis Shqipërisë e Italisë janë në disavantazh të Shqipërisë, teksa avantazhi është i Italisë. Së dyti, sipas Berluskonit TECet me qymyr dhe naftë shkaktojnë ndotje, ndërkohë kur kjo nuk është pohuar asnjëherë nga qeveritarët tanë, të cilët xhuvelojnë me “standartet”, duke synuar krijimin e psikozës në publik se nëse vepra është brenda standarteve nuk ka ndotje, nga ku del se gjithë bota e zhvilluar që punon me standarte nuk paskërka problem me ndotjen, sëmundshmërinë, vdekshmërinë, cilësinë e jetesës dhe impaktet e ndryshimeve klimatike për sot dhe në të ardhmen dhe se lufta që bëjnë këto vende për reduktimin e ndotjes qënkërka e kotë, dhe është luftë e stisur nga antiglobalistët (term i preferuar ky së fundi i Berishës ndaj grupimeve të shoqërisë civile në vend). Kështu që në Shqipëri nëse dikush ka një projekt për një vepër të klasifikuar në industrinë ndotëse (si TECe, fabrika çimentoje etj.), por është me standarte (dmth ndot me standarte), bujrum dhe tokën e ka me 1 euro. Edhe sikur e gjithë ultësira e vëndit të mbillet me këto vepra që ndosin me “standarte” për Berishën, Rulin e Co., nuk ka problem, madje është zhvillim, edhe më, është zhvillim i qëndrueshëm. E gjithë kjo është një mega spekullim, që nëse nuk ndalet Shqipëria do të bjerë në nje tranzicion permanent me shumë pasoja.
Në plan më konkret: pse duhet Shqipëria të pranoj një marrveshje që ajo nuk ka avantazh? Dhe pse duhet Shqipëria të ndotet dhe për më tepër për një investim që ajo nuk ka avantazh?. Por që këtu lindin edhe një sërë pyetjesh të tjera. Psh, sa është humbja e ekonomisë shqiptare nga ndotja që krijohet, në turizëm, peshkim, bujqësi etj? Po kostoja e rritur e shëndetit publik, si rrjedhoj e sëmundshmërisë së rritur të shkaktuar nga ndotja, duke mos llogaritur këtu rastet fatale të vdekjeve të shkaktuara nga ndotja? Qeveritarët tanë e kanë një përgjigje, që është se Shqipëria do marr një pjesë të energjisë. Por kjo përgjigje automatikisht të çon tek pyetja tjetër; a është e mundur që të gjenerojmë energji pa ndotjen e TECit apo NECit (Centrali nuklear) të Enelit dhe pa gardhimin e kurorës së Karaburunit me rreth 200 kulla çeliku nga 117 m të larta? Dhe kjo pyetje ka një përgjigje të thjeshtë e të qartë, që është: po. Sapo u nënshkrua marrëveshja e koncensionit të formës BOT për ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë kaskadës së lumit Devoll me një kapacitet 370 Më. Tjetër. Është drejt përfundimit marrveshja për Hidrocentralin e Skavicës me kapacitet 350 Më. Është gati për të filluar nga puna Hidrocentrali i Ashtës me kapacitet 50 Më. Duke filluar nga 2009 në një hark kohor 3-4 vjet do përfundojnë një seri HECesh të vegjël me kapacitet rreth 120 Më. Normalisht nuk mund të mbetet pa u futur në linjën e HECeve dhe kaskada e lumit Vjosë me një kapacitet rreth 400 Më. Që të gjithë këto vepra ndodhen në listën e prioriteteve të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë. Jo rastësisht do deklarohej në dokumentin e këtij Komuniteti të mbledhur në Tiranë pak ditë më parë se “ Duke konsideruar nevojën për kapacitete të reja gjeneruese në Shqipëri në mënyrë që të reduktohet varësia nga importi, ndërtimi i hidrocentraleve të rinj do të ketë një impakt positiv në tregun kombëtar dhe rajonal”. Ky deklarim dhe vetë realiteti i ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese në Shqipëri rrëzon tezën gati 10 vjeçare të amplifikuar fort nga vendimmarrja shqiptarre nën dirigjimin e Bankës Botrore apo dhe Enelit në rolin e konsulentit të faforizuar të KESH vite më parë, sipas të cilës, Shqipëria duhet të diversifikoj burimet energjitike, duke i hapur kështu rrugën gjenerimit të energjisë prej burimeve fosile të importit (siç është po sot rasti i TECit të Enelit në Porto Romano). Nëse këtyre veprave hidrike i shtojmë dhe ndonjë vepër tjetër me burim energjie ere apo diellore (burime gjithashtu të bollsheme e të lira në Shqipëri) me kapacitet rreth 150 Më, për të cilat tashmë Qeveria Shqiptare ka oferta, rezulton se Shqipëria dyfishon prodhimin me burime të saj të gjenerimit të energjisë elektrike, madje kthehet në eksportuese-neto. Duke ju referuar përsëri burimeve të gjenerimit të energjise elektrike në vend mund të shtohet kapaciteti prej rreth 200 Më nga rehabilitimi i TECit të Fierit (mos rehabilitimi i të cilit qysh në 2002 mbetet punë e prokurorisë) si dhe një TEC prej 150 Më me gaz në fushën gazmbajtëse të Delvinës, sipas planit të bërë publik së fundi nga një kompani Kanadeze.
Çka po bën Shqipëria së fundmi me vëniën në efiçencë të burime hidrike, megjithëse kriminalisht e vonuar, është ajo që duhet bërë. Komuniteti i Energjisë përcakton në listën e prioriteteve pikërisht veprat e mësipërme në Shqipëri dhe nuk përfshin në këtë list TECet e Berluskonit e Berishës apo Parkun Eolik në Karaburun. Ajo që Komuniteti i Energjisë ofron për Italinë nëpërmjet Shqipërisë është gazsjellësi TAP (Trans Adriatic Pipeline), që vjen nga Greqia dhe kalon në Itali nëpërmjet zonës bregdetare të Fierit. Tranzitimi i i këtij gazsjellësi nëpërmjet Shqipërisë është i mirëpritur dhe nuk është kundërshtuar nga vendimarrja Shqiptare ashtu dhe nga grupimet shoqërore, përfshi ato mjedisore.
Së fundmi vendet e Bashkimit Europian ranë dakord që të reduktojnë 20% CO2 në vitin 2020. Duket se Berluskoni si firmëtar i kësaj marrveshje e sheh çështjen e reduktimit duke e çvendosur emetimet e CO2 në Shqipëri. Ky veprim i tij është donkishotesk. Obama teksa po bëhet gati të hyj në Shtëpinë e Bardhë ka shumë të ngjarë të propozoj vendosjen e taksës globale të karbonit si mënyra më efektive për të arritur objektivat e reduktimit të CO2 në nivelet e pranueshme nga shkencëtarët. Kështu Berluskoni dhe lobet fosile të Italisë nuk mund të struken dot matanë detit, në Shqipërinë e berishëve, për ti shpëtuar taksave të karbonit. Por fataliteti është se Shqipëria mund ta pësoj keqazi nga ky donkishotizëm, pasi rehabilitemi i territorrit të industrive fosile kërkon dekada të tëra. Donkishotizmi i Berluskonit është i mundshëm dhe i rrezikshëm teksa Berisha bën gjithashtu donkishotin.
Reuter publikoi, edhe pse nuk e bënë këtë mediat shqiptare, një deklaratë të mjedisorve shqiptarë fundvitin që lamë pas, në të cilën kërkohej që të pezullohet nënshkrimi i kontratave të veprave të klasifikuara me impakt negativ të shkallës së lartë në mjedis, përfshi TECet e Enelit, apo eolikët e Karaburunit, gjatë 6 mujorit të fundit të mandatit të Qeverisë aktuale dhe ligjvënësit ta konsiderojnë këtë si çështje për tu konvertuar në ligj. Qeveria e re pas zgjedhjeve të Qershorit ndoshta mund të aprovoj projektet e Berluskonit edhe pse të kundërshtuar fort nga shoqëria civile dhe deri diku nga opozita e sotme, por ajo do të mbante dhe përgjegjësinë e negativitetit të gjeneruar nga një sipërmarrje e tillë gjatë mandatit të saj.
Lavdosh Ferruni
7 janar 2009




Ska anëtarë që kanë komentuar " Berluskoni e Berisha drejt një donkishotizmi "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment