Shkruar nga Aurora Allushaj

e shtunë , 07 shkurt 2009

Emigracioni është një nga fenomenet sociale më problematike nga pikëvështrimi i shkaqeve dhe pasojave që sjell. Për sa ju përket shteteve destinacion të këtij fenomeni, problemi më i madh është kontrolli i flukseve të hyrjeve dhe ndërlikimet që hasen më pas. Emigracioni është një temë shumë delikate, e cila lidhet me rritjen e krimeve, uljen e nivelit të sigurisë, dhe kjo ndodh më tepër nga personat që nuk kanë një punë fikse. Për sa i përket Italisë, studime ekonometrike kanë demonstruar se nuk ka asnjë lidhje rastësore midis emigracionit dhe kriminalitetit. Jo rrallë herë edicionet e lajmeve te RAIT transmetojnë ngjarje nga më të ndryshmet, të cilat kanë si protagonistë bashkatdhetarë tanët si dhe emigrantë të tjerë që jetojnë në Itali.

Gjithsesi në gjysmë dekadën e fundit një statusquo qetësie ka mbërthyer kronikën italiane, por sikur mos të mjaftonte gjithë gjullurdia “albanese”, tashmë gadishullit Apenin i janë “vërsulur” anëtarët më të fundit të BE-së, rumunët. Vetëm një javë më parë në kryeqytetin e Italisë, në Romë një bandë rumunësh përdhunuan në gjendje të dehur një të re italiane. Në tre vitet evropiane të Rumanisë pothuajse është shuar fare zëri i shqiptarëve. Vetëm në tre muajt e fundit numri i violencave seksuale në kryeqytetin italian është rritur me 35 për qind, krahasuar kjo me një vit më parë dhe në të gjitha rastet nuk ka pasur bashkëkombës tanë.

Por përse ndodh ky fenomen, a të jetë vallë vazhda e pashterur e emigrantëve që vërshojnë drejt Romës? Disa vite më parë në aperturat e kronikave italiane ishin shqiptarët ata që nominoheshin më shumë, ndërsa aktualisht ndihet një venitje e krimeve të emigrantëve shqiptarë në Itali. Edhe pse nuk jemi ne që hapim edicionet e lajmeve, gjithsesi nominohemi sërish kur ndodh diçka e kryer nga emigrantë të çfarëdo shteti qoftë.

Situata e tensionuar këto ditë në Romë tregon edhe më tepër rreth kësaj çështjeje. Në të përditshmen “E Polis” shkruhej një javë më parë se duhen marrë masa ndaj emigrantëve rumunë dhe atyre shqiptarë. Në një kohë kur, sipas statistikave vjetore, shqiptarët zënë vendin e tretë për krime në Itali, mbas rumunëve dhe marokenëve, ndërsa për nga popullsia zëmë vendin e dytë. Gjithmonë duke ju përmbajtur të dhënave, në dy vitet e fundit krimet e kryera nga emigrantët shqiptarë kanë pësuar një rënie prej 22 për qind krahasuar me vitet paraardhëse.

Por a ndihet ky ndryshim, kjo përshtatje nga italianët? Në këto raste ndikon shumë funksioni i medias, kundër informacioni influencon audiencën dhe gjithmonë mesazh marrësit krijojnë një ide mediatike. Duket fare hapur se shqiptarët janë integruar në realitetin italian dhe iu mjaftuan vitet e para të emigrimit për të kuptuar se rruga e drejtë është integriteti. Në një kohë kur Shqipëria aderon të futet në NATO dhe emigrantët shqiptarë shkojnë akoma më tej me kërkesat e tyre janë akoma këto cikërrima që vazhdojnë të nxijnë imazhin. Tashmë nuk është më koha e zinxhirëve, nuk dëgjohen më gomonet të gumëzhijnë në netët e zeza klandestine. Shqiptarët dhe Shqipëria po kërkojnë një shans për të qenë pjesë e BE-se dhe për të lënë pas atë pjesë të historisë që vazhdon akoma të ushtojë.

Pas më shumë se 6 qind vitesh le të shpresojmë se imazhi i drobitur i emigrantit të pa shpresë dhe të lodhur do të ndryshojë dhe ne si shtetas evropianë të jemi të tillë në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

 

*Artikulli wshtw botuar tek e pwrditshmja “Tirana Observer”