Intelektuali dhe publicisti i mirënjohur dukatas, profesor Xhemil Seferi
Nga Inxhi Aliçka
Me një pamje disi imponuese, shikim të prerë, inteligjencë të shprehur në çdo lëvizje mimike, i hapur, reagues dhe shpërthyes ndaj çdo gjëje që nuk përputhet me dijet dhe intelektin e tij, transparent dhe i saktë në mbrojtje dhe argumentim të idesë apo mendimit që paraqet, “natyrë e vështirë”, siç thonë disa, por që jam e sigurt se janë ata njerëz që nuk munden të ndjekin dot arsyetimin e ideve të tij, njeri me bagazh tmerrësisht të madh nga çdo fushë e jetës, temperament shprehës. Për këdo që e njeh nga afër dhe njeh potencialet e tij, është fat të ketë mundësinë të bisedojë me të, të dëgjojë të reja pafund, të mësojë kuriozitete dhe të vërteta nga të gjitha fushat e jetës, nga çdo shkencë njerëzore.
Ky është intelektuali, publicisti, enciklopediku i mirënjohur i lindur në Dukat të Vlorës dhe banues në Orikum, zoti Xhemil Seferi. Personalisht, e vlerësoj si një erudit të kësaj kohe, një intelektual të mirëfilltë, një njohës të madh të parime dhe bazave të çdo aspekti njerëzor, por edhe të natyrës frymore dhe jofrymore në botë, një njeri i rrallë në formimin dhe prirjen e tij për të studiuar dhe vëzhguar gjithçka nga bota përreth e më gjerë. Duhet të kesh vetëm durimin dhe formimin e nevojshëm për të dëgjuar gjithçka që ai shpreh dhe… në fund, është e sigurt, ti ke mësuar shumë prej tij. Por mbi të gjitha, ke kuptuar se, me gjithë këtë memorje absolute, me këtë njeri të lindur për të ditur, ka diçka që nuk shkon. Për këtë njeri, nuk mund të them plotësisht se ka lindur në kohën e duhur, apo në momentin e duhur, por … e sigurt që ka lindur në vendin jo të duhur dhe në hapësirën jo të përshtatshme për dijet dhe mendimet e tij intelektuale dhe profesioniste. Por, gjithsesi, ai kurrë nuk di të ankohet për këtë gjë. Praktik dhe objektiv, ai thotë se në jetë s’ka vend për dobësi dhe dilema, as për fat të mirë a të keq, jeta thjesht rrjedh në materien e saj.
Rasti të jepet ta takosh më shpesh në shtëpinë e tij, në Orikum të Vlorës, një shtëpi e thjeshtë, me një kopsht të mrekullueshëm, ku spikatin mbi të gjitha agrumet, limonët, portokallet, mandarinat, shegët, ullinjtë, etj, një kopsht i qëndisur nga vet dora e tij, si agronom i njohur në gjithë rrethin e Vlorës dhe i profesionalizuar në këtë fushë. Për të, këto lloj pemësh janë kuptimi, motivi dhe vazhdimësia e jetës. Nëse e pyet për më tepër në këtë drejtim, sigurisht ai nuk përton kurrë të të sqarojë në bazë të dijeve të nevojshme, sipas çdo lloj ligjësie të gjenezës apo botës bimore, se përse është kështu e vërteta mbi këto bimë.
Sa herë që mund të shkosh ta vizitosh në këtë shtëpi, gjithmonë do ta gjesh në një tavolinë të ulur duke lexuar një libër a një material, ose në tryezën e tij të punës, duke renditur apo shkruar diçka të cilën nuk do kurrsesi ta lerë pa memorizuar në rreshta kompjuteri.
Kam pasur fatin e mirë që për rreth 4 vjet, gjatë vazhdimit tim të studimeve në shkollën e mesme, të dëgjoj çdo ditë mendimet e këtij njeriu mendjendritur, modest dhe pa kurrfarë ambicie negative për karrierë pa vlerë. I jam mirënjohëse që më ka dhënë aq shumë mundësi të formësoj dijet e mia dhe të pasuroj botën time të mendimeve mbi gjërat konkrete dhe jo konkrete në këtë botë. Me mendimet dhe qëndrimin e tij, ky intelektual i pangopur me dije, të impononte siguri absolut, vullnet të hekurt, për të kërkuar gjithmonë më shumë nga vetja dhe për të mos u bërë kurrë një qenie monotone, pa lëvizje, pa objektiv konkret, pa bosht drejtues. E mbaj mend, netëve të dimrit, kur nga realiteti shqiptar mungonin edhe dritat në shtëpi dhe ato zëvendësoheshin nga disa qirinj të ngratë, xhaxhi Xhemili nuk mund të largohej nga leximi dhe konspektimi i çdo gjëje të re që i dilte në veprat dhe materialet që shfletonte.
E admiroja, e çmoja aq shumë për këtë vullnet të hekurt të tij për studim, edhe në kushte jo të përshtatshme. E admiroja që s’kishte kurrë lodhje për dije dhe kjo veti e tij më nga mbetur në mendje në çdo kohë. Shumë gjëra që ai na thoshte atëherë mbrëmjeve me qirinj, mua dhe fëmijëve të tij në ballë të jetës, nuk i kuptoja plotësisht, por me kalimin e kohës, ato e kishin lënë gjurmën e fortë tek ne. Në çdo fushë jete, ai kishte një përgjigje të qartë për ne.
E sa herë do të shkoj në vendin tim të lindjes, në Dukat, përpara se ta bëj këtë, ndalem për një vizitë kurioze dhe të vetvetishme tek xhaxhi Xhemili. Them kurioze, sepse jam e sigurt që çdo herë që shkoj marr diçka me vete nga intelektualizmi dhe mendimet e tij. Bisedoj me të për disa orë, marr vesh rreth shkrimeve të tij të fundit, temave të trajtuara, apo diçka tjetër me vlerë.
Është e çuditshme dhe e papranueshme se si, vulgariteti i kohës, komerçi mediatik i sotëm, mediokriteti mbytës i ambienteve të ndryshme pa nivelin e duhur, bëjnë që dimensionet e këtij intelektuali me përmasa galoponte, përtej realitetit mbytës të provincave shqiptare, të sfumohen dhe minimizohen. Vallë, të thuash të vërtetën hapur, të kritikosh me argumente, të kërkosh të drejtën njerëzore, të shpalosësh botën tënde intelektuale dhe shkencore, të mos pranosh prerazi arsyetime bajate, të shkruash dhe flasësh me pasion për të gjitha këto fenomene,… quhet jo korrekte, jashtë realitetit?
Por, pavarësisht nga gjithçka e tillë, intelektuali Xhemil Seferi i ka thyer të gjitha tabutë mendësore, është profilizuar tashmë nga vet shoqëria e emancipuar e rrethit ku jeton e punon si profesori mendjekreativ, si njeriu erudist, i domosdoshëm për mendimin e tij të vyer në çdo situatë a zhvillim për zonën, në çdo nismë për një ndryshim, në çdo hap për zhvillim të zonës dhe gjithë vendit. Ai nuk ka nevojë për karrige, as për kryetar partie, as për deputet, as për ofiqe fitimprurëse. Ai i ka të gjitha këto, brenda asaj mendjes produktive të tij, gjithmonë me një përgjigje të saktë për këdo, me një zgjidhje konkrete për çdo situatë dhe me domosdoshmërinë që ndjen çdo kandidat pushtetar i politikës për të përfituar mendimin e këtij intelektuali kur i duhet të ngjitë shkallët e pushtetit. Pavarësisht se siç ndodh rëndom në politikë, këta pushtetar nuk dinë ta kthejnë kokën pas, sërish i mirënjohuri Xhemil Seferi, qëndron mbi çdo karrige e pushtet, mbi çdo konsum politik e shoqëror.
Do t’i uroja këtij intelektuali, me të cilin Dukati dhe gjithë rrethi i Vlorës duhet të krenohet, të vazhdonte të na pasuronte mendimin, përmes ideve të tij, shkrimeve realiste e kritike, studimeve të thella të çështjeve, analizave, etj. Të vazhdonte të na dhuronte dije, emancipim, zhvillim, për të cilin kemi aq shumë nevojë, për t’u ndierë vërtetë europianë, së pari në mendime, pastaj në konceptin hapësinor.




Ska anëtarë që kanë komentuar " Mes dijes pafund dhe revolucionit të mendimit të sotëm "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment