Nga Lirim NEZHA

 Pak ditë më parë,krejt rastësisht,më ra në dorë një fletushkë e titulluar”Kushtrim Brezash”. Më tërhoqi një prej titujve „bold” të saj dhe nisa të lexoja duke e ditur që përgjithësisht,kjo fletushkë boton vetëm lajthitje te lajthiturish prej moshës. Shkrimi që më tërhoqi vëmendjen titullohej:”U VRANË SI TRADHËTARË,PO I BËJNË MARTIRË”. Ajo cka lexova më poshtë ishte vecse një krrokramë korbash e dalë nga i ashtuquajturi Komitet i veteranëve të Vlorës dhe i referohej një ceremonie të zhvilluar në Dukat me 30 Nëntor 2008,në përkujtim të 65 vjetorit të Luftës së Dukatit dhe në nderim të të rënëve në këtë luftë vëllavrasëse,që ndonëse vetëm disa orëshe,ishte e mjaftë për të shënuar fillimin e një lufte të gjatë civile.

Që lexuesi të dijë se për se bëhet fjalë,më duhet te shpjegoj shkurt dinamikën e kësaj lufte të paprecedentë më parë në Shqipëri. Ishte një sulm i mirëorganizuar nga udhëheqja komuniste e kohës me porosi edhe të emisarëve jugosllavë,mbi popullsinë civile të fshatit Dukat,me qëlimin e vetëm për ta nënshtruar këtë trevë trimash dhe për të eleminuar prijësit e tij të cilët kishin përkrahur në masë alternativën nacionaliste të luftës kundër pushtuesit të huaj. Në këtë betejë pa sens logjik,ku vëllai vriste vëllanë pa asnjë motiv por vec për të përmbushur dëshirat e Dushanit e të Miladinit e për të mbjellë përcarjen ndër shqiptarë,humbën jetën tetë burra dukatas dhe shtatëmbëdhjetë partizanë,të gjithë të pafajshëm.

Është e tepërt të flitet tani për atë se si u zhviluan ngjarjet ne 45 vjet diktaturë. Partizanët morën titullin „Dëshmorë” dhe u ngjitën në piedestal ndonëse nuk rane në luftë me pushtuesit ,ndërkohë që dukatasit u denigruan sikurse familjet e tyre dhe u quajtën tradhëtarë,vetëm e vetëm se u përpoqën dhe ja arritën të mbronin nderin e vatrave të tyre.

Por,sikur të mos mjaftonin 45 vjet të flamës së kuqe,u deshën edhe 18 vjet demokraci që të rënët e Dukatit,të kishin edhe ata një status,një vlerësim për veprën e tyre në mbrojtje të fshatit dhe shtëpive të tyre. Me dekret të Presidentit të Republikës ,Bamir Topi,ata u shpallën MARTIRË pas 65 vjetësh të mbuluar me heshtje e nëpërkëmbje,me dhunim të dinjitetit e më shumë privacione për pasardhësit e tyre. Një akt i tillë i Presidentit çoi në vend jo vetëm dinjitetin e tyre,por edhe te Dukatit i cili,prej aktit të këtyre burrave u denigrua dhe u nëpërkëmb me nofkën tashmë të njohur „Ballist Dukati”.

Por,sikur të mos mjaftonte sulmi i pabesë i 65 viteve më parë,sikur të mos mjaftonin të vrarët e pafajshëm dhe 45 vite denigrim total,ka ende sot krrokrrama korbash mbi kufoma që duan t’i rivrasin të rënët duke i quajtur „tradhëtarë”.

Po kë tradhëtuan vallë?!!!

Vetëm kësaj pyetjeje nuk i japin dot përgjigje „veteranët”tanë me devijime psiqike. Ata „veteranë” qe vetëm emrin kanë të tillë sepse në luftë nuk kanë qënë asnjë ditë.(Brezi që bëri luftën,tashmë nuk jeton më). Këta që shfaqen sot si të tillë dhe që guxojnë të bëjnë deklarata në emër të tyre,janë vetëm ca ish shërbëtorë të mjerë të diktaturës të cilët,tashmë i kanë humbur privilegjet e tyre por që janë të zellshëm për t’u shërbyer padronëve edhe pas vdekjes. Ata janë të pafuqishëm për të diktuar vendimmarrjen e institucioneve demokratike,por u ka ngelur ende pak zë i cjerrë për të lëshuar klithma përcarëse,me idenë e vetme që u zien në kokë:”Pas meje,kiameti…”.

Personalisht ndiej respekt te thellë për luftën clirimtare te popullit shqiptar si dhe për ata qe realisht u sakrifikuan për Atdheun,nacionalistë,komunistë,apo legalistë qofshin,por këta zëra të errësirës nuk kanë asnjë lidhje me luftën e aq më pak të shfaqen si „veteranë”. Më i madhi prej tyre nuk ka qënë më shumë se 15 vjec në kohën kur ka mbaruar lufta,por ata kanë arritur,përmes makinacioneve dhe shërbimeve pa kushte që i kanë bërë diktaturës,të gëzojnë disa privilegje tashmë të humbura,pavarësisht nivelit të tyre tejet të ulët arsimor. Dhe sot,me një veprimtari konstante antishqiptare,pas plumbave që hodhën paraardhësit e tyre,kërkojnë vazhdimisht të hedhin baltë mbi njerëzit e nderuar të këtij kombi,të cilët e deshën Shqipërinë ku e ku më shumë se prijësit komunistë,të cilët u shitën tek emisarët e tyre sllavë.

Ata jo vetëm që flamurit kombëtar i ngjitën një yll duke e përdhosur,por donin të shfaqeshin edhe pronarët e tij. Por flamuri ka vetëm një „pronar”,KOMBIN,dhe dukatasit që u vranë atë fundvjeshte të vitit 43 ishin pjesë e këtij kombi,sikurse ata partizanë që dhanë jetën pa asnjë motiv,për hir të kauzës së tyre të kuqe. Por këtë nuk duan ta pranojnë fosilet e të shkuarës. Ata shfaqen sot si mbrojtës të luftës,të asaj lufte që nuk e bënë kurrë.