Rreth 100 banorë të Orikumit kanë bllokuar urën që lidh Vlorën me Orikumin dhe zonën e Himarës. Ata u shprehën dje në protestë se kërkojnë zbatimin e ligjit 7501, ashtu siç ka ndodhur edhe në zona të tjera. “Tokat tona i kanë marrë të tjerët me këtë ligj, ndërkohë që ne nuk i marrim dot po me të njëjtin ligj”, u shprehën banorët. Protesta ka qenë në vijimësi të reagimeve të nisura ditë më parë në lidhje me zbatimin e ligjit 7501, ku për rreth dy orë nuk u lejuan punonjësit e administratës së bashkisë të hynin në zyrat e tyre. Parullat “Zbatoni ligjin 7501″ dhe “Mos luani me çështjet e pronave”, kanë mbizotëruar gjatë protestës. Banorët, ish-punëtorë të ndërmarrjes bujqësore “Rinia” në Orikum thanë se janë mbledhur aty për protestuar për tokën, si dhe për moszbatimin e ligjeve të parlamentit për tokën, duke ju referuar ligjit 7501. Protesta e djeshme, si dhe ajo e pak ditëve më parë në Orikum, nga ish- punonjësit e NB Rinia, sipas protestuesve, e ka marrë shkëndijën nga vendime që janë marrë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave. Bëhet fjalë për afro 450 ha tokë, tek të cilat ka mbivendosje. Ish-punonjësit pohojnë se ato janë toka mbi të cilat vepron ligji 7501, por komisioni i kthimit dhe kompesimit ka dhënë për to certifikata pronësie. Protestuesit thanë se këta janë pronarë të rremë. “Kjo tokë ka qenë moçalishte dhe ne e kemi hapur me duart tona. Asnjë pronar nuk ka pasur në to. Por ky nuk është abuzimi i vetëm. Kjo tokë që ka qenë nën ujë dhe e pyllëzuar, është kthyer si tokë are. Ne kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit, kërkojmë atë çka ligjërisht na takon.”- pohon një nga protestuesit. “Unë jam nga Dukati dhe rri në Orikum. Kam shumë vjet që jetoj këtu dhe jam një ndër përfituesit nga ligji 7501. Por çfarë ndodh? Këtu unë nuk po marr pjesën time. Tokat që më takonin në Dukat u ndanë. Kështu unë kam ngelur, as këtej dhe as andej. E kështu si unë ka dhe shumë të tjerë. Vetëm këtu po mbahen të bllokuara këto toka. Në Dukat, Radhimë e Tragjas, janë ndarë”.
Artikulli eshte marre nga gazeta “Shekulli” e dates 7 prill 2009




Ska anëtarë që kanë komentuar " Banorët e Orikumit: Të zbatohet ligji 7501 "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment