Lavdosh Ferruni
Berisha së fundmi po lakon së tepërmi kontratat miliardëshe të investimeve në Shqipëri. Një ndër këto superinvestime është parku eolik i Karaburunit. Shumëkush edhe pse ka dëgjuar nga mediat se është nënshkruar kontrata për të nuk e beson. Aq më tepër nuk e besojnë Dukatasit, pronarët shekullor të territorrit të Karaburunit, të cilëve u ka marrë leje për të kaluar në këtë territorr edhe vetë Jul Çezari. Karaburuni është territorri ku fiset e Dukatit këtij fshati të madh që kënga e ka përjetsuar si “Dukati gjysma e Misirit (Egjyptit)”, kanë mbështetur vazhdimësinë e jetës ndër breza duke përdorur kullotat e pasura të tij për mbarshtimin e mijra krerë të imtash. Dokumentohet dhe pranohet se para Luftës së Dytë Botrore në Karaburun dimëronin 100 mijë krerë dele e dhi, në sinore rigorozisht të caktuar mes fiseve të Dukatit. Qeveritarët hajdutë i mbushin mëndjen vehtes tani se janë pronarë të Karaburunit dhe kanë të drejtë ta shesin apo japin me qira Karaburunin, edhe pse gjëkundi Qeveria nuk ka dokumeta që Karaburuni është tokë shtetërore, e trashëguar, e blerë, e dhuruar, e shtetëzuar etj. Argumenti që përdorin qeveritarët (edhe deputetë) hajdutë është “Dukatas ti s’ke hipotekë për këtë pasuri, kështu që kjo është e imja”. Dukatasi i thotë qeveritarit hajdut: ” Unë jam pronar i pa kundërshtueshëm këtu prej të paktën dhjetra brezash, qëkurse nuk kishte as shtet dhe as hipotek”. Qeveritari hajdut i përgjigjet: ” Ç’më duhet mua s’ke letra, është e imja” “Jo letra kam sa të duash” - i thotë Dukatasi qeveritarit hajdut. Dhe ja i tregon letrën si më poshtë (marrë me shkurtime nga dokumeti origjinal):
“Të nënshkruarit Kryepleqësia Dukat dëshmojnë dhe vërtetojnë se H. H. Z. nga ky katund ka në zotrim të tij pronat që shënohem më poshtë: 1) Një kullotë e quajtur “Lugu i Lerës prej 700 dynym e kufizuar nga Veriu- Deti, Lindje-. M. D, Jug- Z. A dhe nga Perëndimi- I.P 2)……Në bazë të kërkesës së tij i lëshohet kjo certificate për ta përdorë pranë Bankës së Napolit.Vërtetohet vula e kryepleqësisë dhe përmbajtja e kësaj dëshmie. Dukat me 9/IX/ 941″. Kështu bën dhe Dukatasi tjetër, dhe tjetri, dhe tjetri, por për hir të së vërtetës, jo të gjithë kanë pasur mundësi të bredhin në për zyra e arshiva për të gjetur letra, por po ti mbledhësh edhe ato pak persona që kanë mundur të gjejnë dolumenta si ky më sipër del e qartë harta e pronave të Karaburunit, ku Qeveritari rezulton se nuk ka asnjë metër katror kullotë në këtë territor. Për të qënë në “rregull” me ligjin qeveritari hajdut, me porosi të kryeqeveritarit aventurier lëshon dokumetin zyrtar: ” .. të njihet prona kullotë ….ha dhe për këtë do kompesohesh”. Ja kështu janë punët në Karaburun. Dukatasi do kompesohet për kullotën, po ku, kur, sa? Kjo nuk thuhet në shkresën zyrtare. Vret mëndjen Dukatasi se ku mund të kompesohet me ndonje kullotë tjetër dhe i rezulton se edhe sikur ti japin 10 fish kullotë në Librazhd apo në Tropoj nuk i bën fajde, po ti japin 1% territor në zonë turistike po në Vlorë afër familjes, edhe mund ta preferonte, por s’ka shanc, është “kompesuar” Petrolifera tashmë, dhe pritet të “kompesohet” Zumax. Pastaj i shkon nëpër mëndje Dukatasit se mos i japin ndonjë copët tokë në Siçili, meqënëse kompania Moncado, që vjen dhe i zë tokën e stërgjyshërve është Siçiliane, dhe atje helbete mund të gjëndej dhe ndonje punë, dhe mund të…, por e kuptoi Dukatasi se filloi të fluturonte dhe ju kujtua shprehja “zieje dhe pihi lëngun”.
Berisha me teoritë dhe praktikat e tij vërtet i hapi rrugë grabitjes së tokave të pronarve legjitim në mbarë Shqipërinë, qysh në vitin 1991, duke spekulluar me lirinë e shqiptarve, vërtetë i fali përgjithmonë 18.3 hektar (Petrolifera), një shtetasi italian në bregdet të Vlorës, vërtet ka vënë në shitje me 1 euro qindra e mijra hektar të tjerë në bregdetin Shqiptar, por rrëmbimi i 100 hektarëve tokë në Karaburun banorëve që ushqejnë fëmijët e tyre në këtë tokë të të parëve të tyre është vërtetë një aventurë e Kryeqeveritarit. Dhe kjo aventurë grabitjeje tashmë nuk ka të bëj me lirinë, por me okupim. Kjo aventurë duket edhe më e vërtetë tek dëgjon për dhurim të 225 km2 hapsirë ujore në bregdetin Jonian shtetit fqinj, madje duket më perverse tek dëgjon që marrveshja okupuese vendoset në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Aventurizmi i Berishës me Karaburunin i ka shtyrë Dukatasit të thërasin një kuvend të tyre për ta ndaluar aventurën e tij. Edhe pse kuvendi nuk do të jetë në Barçalla të Dukatit, si në Maj të vitit 1920, përsëri Kuvendi do jetë kuvend burrash.
Lavdosh ferruni
1 Maj 2009




Ska anëtarë që kanë komentuar " Aventura e madhe e Berishës me Karaburunin "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment