Fituesi i  70 mijë euro në “Big Brother”, Qetsori, pas përfundimit të kësaj gare do të hyjë në një tjetër garë. Partia Demokristiane, pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë”, ka vendosur ta kandidojë atë për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Përfaqësuesit e PDK-së duket se kanë marrë OK e familjarëve për ta kandiduar qe ne kohen kur qetesori ndodhej brenda ne shtepi.  Lajmin e bëri të ditur dje kreu i kësaj force politike Nard Ndoka gjatë hapjes së fushatës në qytetin e Vlorës. “Listën e kryeson kryetari i PDK-së, dega Vlorë, Baki Jazaj. Një kandidat tjetër, i cili mori një mbështetje të fuqishme nga të pranishmit, edhe pse nuk ishte prezent, Qetsor Ferruti, një nga personazhet shumë të njohur tashmë të shout televiziv ‘Big Brother 2’”, thuhet në njoftimin për shtyp të PDK-së. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që kjo forcë politike kandidon personazhe që vijnë nga spektakli në zgjedhje. Në zgjedhjet lokale të shkurtit të vitit 2007 kjo forcë kandidoi Benin nga Yrsheku, pjesëmarrës në një nga edicionet e “Kafazit të Artë”, në Vaqarr. Ndërkohë gjatë takimit në qytetin e Vlorës, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, deklaroi se çështja çame është një çështje kombëtare, dhe jo vetëm një problem i këtij minoriteti siç është trajtuar gjithmonë. PDK-ja, theksoi ai, do mbështesë dhe do të jetë një ndër avokatët e saj në parlamentin e ardhshëm. Duke u ndalur në këto zgjedhje nga Vlora, kreu demokristian deklaroi se PD-ja vjen me përsëritjen e të njëjtave premtime të pambajtura që bëri në fushatën elektorale të vitit 2005: kthimin e pronave, dëmshpërblimin dhe integrimin e ish të dënuarve politikë, luftën kundër korrupsionit. Në të tre këto objektiva madhorë qeveria e tanishme ka dështuar.