Qeveria miraton ndërtimin e kullave të erës e të rrugëve

Gjergj Erebara, Besar Likmeta

Qeveria shqiptare miratoi pa shumë zhurmë dhe në prag të zgjedhjeve parlamentare, një vendim shumë të debatuar, që rrezikon të shkatërrojë gadishullin e Karaburunit, zona e vetme e Shqipërisë pa kurrfarë ndotjeje dhe që vlerësohet nga ekspertët si “parajsë tokësore”. Qeveria miratoi “autorizimin e ndërtimit të centralit elektrik me erë (parqet eolike) në gadishullin e Karaburunit, malet Rrëzë e Kanalit dhe malet Lungarë”, pa e diskutuar më parë me publikun, siç kërkohet nga ligji për zonat e mbrojtura dhe pa dhënë një shpjegim mbi përfitimet dhe humbjet e vendit. Vendimi u miratua në mbledhjen e qeverisë më 13 maj, mes një morie vendimesh të tjera dhe kaloi pa i kushtuar kurrfarë vëmendjeje, edhe pse në lojë është zona më e bukur e Shqipërisë. Kompania që mori autorizimin, “Enpower Albania” sh.p.k., është e regjistruar në Tiranë me kapital themeltar prej 100 mijë lekësh. Megjithëse me një kapital të paguar të tillë të papërfillshëm, kompania premton se do të shpenzojë 1.2 miliardë euro në projektin shqiptar. Ajo ka premtuar se do të ndërtojë impiante energjie me erë prej 500 megavat, plus linjat e transmetimit, si dhe një rrjet të gjerë rrugësh që do të lidhin kullat me njëra-tjetrën, përgjatë të gjithë gadishullit të Karaburunit, si dhe një linjë interkonjeksioni Shqipëri-Itali, për të dërguar në Itali energjinë e prodhuar në Shqipëri. Ambientalistët thonë se plani për të hapur 56 kilometra rrugë në gadishull, do të mundësojë fillimin e ndërtimeve në zonë, ndërkohë që shqiptarët do të përfitojnë pak apo aspak nga ky resurs, për shkak se rrugët do të ndërtohen në tokën që qeveria ia ka dhënë kompanisë “Enpower” për përdorim privat. 

98 hektarë tokë

Qeveria i ka dhënë kompanisë në fjalë 98 hektarë tokë me një formë ligjore të paqartë, por që i ka lejuar kompanisë të marrë pronësinë mbi parcela të shpërndara përgjatë të gjithë Karaburunit, si dhe rripa toke private do të përdoren për ndërtim rrugësh. Mënyra e privatizimit të rrugëve lidhëse sjell kontroll automatik mbi të gjithë gadishullin. Qeveria ndryshoi një ligj për t‘i dhënë vetes të drejtën për privatizimin e 100 hektarëve tokë, pa një miratim paraprak nga Parlamenti. Ligji i mëparshëm e lejonte qeverinë të jepte me koncesion sipërfaqe territori jo më të mëdha se 30 hektarë, ndërsa për sipërfaqet mbi 30 ha kërkohej miratimi i Parlamentit. Vitin e kaluar, vetëm dy muaj para se “Enpower” të merrte lejen paraprake, ligji u ndryshua. Vendimet e qeverisë që transferojnë pronësinë nga shteti te kompania janë publikuar të mangëta. Hartat shoqëruese, të cilat duhej të publikoheshin në Fletoren Zyrtare dhe që krijonin një ide se ku në Karaburun do të ndërtoheshin rrugët dhe kullat, nuk e panë kurrë dritën e botimit. Punonjësit e Qendrës së Publikimit të Akteve Zyrtare thonë se kanë publikuar në fletore vendimin siç ishte dërguar dosja nga Këshilli i Ministrave, pra hartat shoqëruese janë mbajtur mënjanë nga vetë qeveria. 

Vendimi i qeverisë shkel ligjin për zonat e mbrojtura, pasi akordon një sipërfaqe toke edhe nga Parku Kombëtar i Llogarasë, i cili është ligjërisht zonë e mbrojtur. 

Një parajsë drejt zhdukjes

Gadishulli i Karaburunit është sot larg syve të vizitorëve, i ndaluar për shqiptarët e zakonshëm nga prania e bazës ushtarake të Pashë Limanit, nga ku kalon rruga e vetme drejt bregut lindor. Shumë pak shqiptarë kanë arritur ta shohin, por të gjithë thonë se është një “parajsë mbi tokë”. Ekspertët e konsiderojnë si zona e fundit e pastër e të gjithë detit Mesdhe. Në këtë parajsë, kompania “Enpower” programon të ndërtojë disa qindra kulla, të cilat janë deri në 75 metra të larta, (sa një pallat 25-katësh), si dhe të hapë 56 kilometra rrugë private. 

Para se të mësojë nëse ndërtimi i një parku eolik është me leverdi në Karaburun, kompania koncesionmarrëse duhet të masë shpejtësinë dhe drejtimin e erës në kushte reale për së paku tre vjet. Por, pavarësisht dyshimeve për rentabilitetin e një projekti të tillë, (as kompania dhe as qeveria nuk e kanë marrë mundimin ta shpjegojnë), qeveria i ka dhënë mundësi kompanisë të fillojë ndërtimin e rrugëve private në tokën e marrë falas nga qeveria. 

Asnjë përfitim për shqiptarët

Ekspertët kanë dyshime nëse projekti i energjisë së erës do të realizohet ndonjëherë. Megjithatë, nëse do të ndërtohet, përfitimi i shqiptarëve do të jetë zero. Energjia e erës do të dërgohet për t‘u konsumuar në Itali. Shqipëria do të arkëtojë “rentën koncesionare”, 3 për qind të xhiros. Por prodhimi i energjisë nga era nuk krijon kurrë biznes të madh. Energjia e prodhuar në Karaburun nuk do të mund të konsumohet në Shqipëri, për shkak se është tmerrësisht e shtrenjtë, si dhe për shkak se rrjeti energjetik shqiptar nuk i përballon dot kapacitete të tilla. Shqipëria do të humbasë zonën e vetme bregdetare të paprekur dhe të pastër. Por, në rast se nuk ndërtohet, gjithsesi kompania italiane do të mund të ndërtojë fillimisht sistemin e rrugëve private, të cilat mund të përdoren për çfarëdolloj qëllimi tjetër, përveç prodhimit të energjisë. 

Premtim për viza

Projektet energjetike të kompanive italiane janë trajtuar me shumë agresivitet nga qeveria e sotme e Romës. Projekti i Karaburunit u nënshkrua në mënyrë simbolike në prani të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, më 2 dhjetorin e kaluar, ndërkohë që ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, i cili është anëtar i qeverisë më ksenofobe në Evropë, ka ofruar në shumë raste “liberalizim vizash” për shqiptarët në këmbim të projekteve energjetike italiane. Premtimet e Fratinit për viza janë përdorur politikisht në Tiranë, por deri më sot, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë. Për më tepër, vizat po përdoren për herë të parë nga “miqtë tanë italianë” si një mekanizëm presioni. 

Fillimi i fundit të parajsës

Karaburuni mbulon një sipërfaqe prej 62 kilometrash katrorë pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, një prej zonave të mbrojtura më të rëndësishme në Mesdhe. Megjithëse Karaburuni është një rezervat natyror, por jo park i mbrojtur kombëtar, një pafundësi studimesh serioze kanë propozuar shpalljen e gadishullit “park kombëtar i mbrojtur”. Qeveria nuk i ka pranuar deri më sot rekomandimet e ekspertëve. 

Genuario Belmonte, profesor i Biologjisë Marine në Universitetin e Salentos në Italinë e Jugut, e përshkruan Karaburunin si një parajsë e pazbuluar. “Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë që na kujton se si duhej të ishte i gjithë Mesdheu”, thotë ai. “Gadishulli është aseti më i mirë i rajonit për të tërhequr turistë nga Bashkimi Evropian”.

“Zona e Karaburunit është një nga të paktat që meriton emrin e zonës së pastër… sepse pothuajse gjithçka tjetër në Shqipëri është shkatërruar tashmë”, thotë Xhemal Mato, i Lidhjes Ambientaliste Shqiptare. 

“Fakti që rruga e vetme që të dërgon në Karaburun kalon nga një bazë ushtarake, e bën atë një zonë të ndarë nga pjesa tjetër e botës dhe jashtëzakonisht të pasur me florë dhe faunë”, shton ai. 

Moncada ia prezantoi projektin disa ambientalistëve shqiptarë në zyrat e veta qendrore në Agrixhento, ku morën pjesë edhe shumë zyrtarë të qeverisë shqiptare, gjë që shkel ligjin shqiptar, i cili nuk lejon përfitimin e favoreve të çdo lloji, përfshirë edhe udhëtimet turistike, nga kompanitë private me të cilat kanë marrëdhënie zyrtare. 

Xhemal Mato, i cili mori pjesë në prezantim si përfaqësues i ambientalistëve shqiptarë, thotë se projekti për hapjen e rrugëve do të sjellë në mënyrë të pashmangshme “urbanizimin e zonës dhe shkatërrimin e Karaburunit”. 

Profesor Belmonte paralajmëron gjithashtu se rrjeti i rrugëve dhe infrastruktura do të sjellin “fillimin e fundit të vlerave natyrore të gadishullit”. 

Strategjia kombëtare e turizmit, e miratuar nga qeveria në vitin 2005, vë theksin te vlerat ekologjike dhe turizmi, të cilat Shqipëria i ka ende, ndryshe nga fqinjët, të cilët kanë mbizhvilluar bregdetin, duke shkaktuar humbje të mëdha. 

“Vlera e Vlorës si një destinacion turistik qëndron absolutisht në zonat natyrore të Karaburunit”, thotë profesor Belmonte, i cili shton se projekti për parkun e energjisë me erë, do të ketë të njëjtat pasoja negative që ka sjellë ndërtueshmëria e madhe në Durrës, Vlorë dhe Sarandë. 

“Unë nuk e kuptoj se çfarë kemi për të përfituar në këtë çështje, ndërkohë që kemi shumë për të humbur”, thotë Mato. 

Jo zgjidhje për krizën energjetike

Kriza energjetike kronike që ka përfshirë Shqipërinë që nga viti 2000, ka shtyrë shumë spekulantë të ofrojnë zgjidhje magjike për stresin më të madh të shqiptarëve. Çdo lloj projekti energjetik prezantohet si fundi i ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit normal me energji elektrike. Por, shumica dërrmuese e projekteve jo vetëm që nuk e zgjidhin krizën, por as nuk ndihmojnë për ta zbutur sadopak atë. Nga këto, projekti i energjisë së erës është më spekulativi. Qeveria italiane ofron 30 cent të euros për kilovat të energjisë së prodhuar nga era, ndërkohë që shqiptarët paguajnë aktualisht më pak se 7 cent për kilovat. Por, mbi të gjitha, energjia e prodhuar në Karaburun, nëse do të prodhohet ndonjëherë, do të shkojë detyrimisht në Itali. Ekspertët thonë se nuk ka asnjë mundësi teknike dhe ekonomike për ta përdorur atë në Shqipëri.