Nga Lavdosh Ferruni
Populli shqiptar kërkon ndryshim. Kjo është kuptuar nga politika. Të shtunën e kaluar u shpalos në një ekran gjigant slogani i PS-së: “Politikë e re për ndryshim”, dhe koalicioni që ajo drejton për zgjedhjet e qershorit ka marrë emrin “Aleanca e ndryshimit”. Nuk ka dyshim që PD-ja me koalicionin e saj “Bashkimi për ndryshim” do të projektojë në një ekran edhe më të madh sloganin e saj “Shqipëria po ndryshon”. Miliona lekë do të shpenzohen për stampimin e fjalës “Ndryshim” kudo nga stilolapsat në fasadat e shumëkatësheve. Ndryshimi është kalimi nga një gjendje në një gjendje tjetër, por me gjithë konotacionin pozitiv që ka ndryshimi në politikë, ai mund të ndodhë të jetë i orientuar në rrugën e gabuar. Është më se e vërtetë se këto 4 vite të qeverisjes së PD-së ka pasur ritëm e ndryshim, përgjithësisht pozitiv. Krahasuar me vitet e qeverisjes së saj në vitet ‘92-‘96, ku PD-ja mbeti me 5 km autostradë dhe ra në batakun e piramidave, në këtë mandat të fundit, pa u futur në çështje aferash, ndryshimi ka qenë i dukshëm pozitiv. Guximi me rrugën Durrës-Kukës, një arterie padrejtësisht e bllokuar në dekadat e shkuara do t’i japë vitalizim zonës me burimet natyrore më të pasura të vendit dhe paradoksalisht zona më e varfër, dhe nëse ndryshimet në vazhdim do të jenë në kahun e duhur, kjo arterie do të mund të lehtësonte shërimin e hematomave të krijuara, sidomos në Tiranë e Durrës. Po kështu, hapja e dritës jeshile për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj, edhe pse prej shumë vitesh kriminalisht të mbajtur mbyllur, është sinjal për ndryshim në kahun e duhur.
Por, nëse PD-ja do të siguronte përsëri një mazhorancë qeverisëse, të gjitha shenjat janë që Shqipëria do të ndryshonte për keq. Arsyeja kryesore që mbështet këtë, është se PD-ja po ia lë zhvillimin e vendit koncesioneve me ofertë të pakërkuar. Kryeministri aktual dhe shpura e ministrave po amplifikojnë si përshpejtim të ndryshimit të Shqipërisë marrëveshjet e firmosura prej qeverisë me kompanitë italiane me një shifër prej 3 miliardë eurosh investime në energjetikë, mbështetur në oferta të pakërkuara, që do të rriten edhe më shumë në vitet që pasojnë. Asnjë prej këtyre investimeve nuk është pjesë e strategjisë dhe produkti i këtyre investimeve, me shkallë të lartë ndotjeje për vendin dhe shkallë të ulët punësimi u përket kompanive të huaja (në këtë rast italiane). Ofertë e pakërkuar do të thotë, siç shprehet qartë në vetë termin, një ofertë për të cilën nuk është bërë kërkesë. Kërkesa nuk është bërë për shkak se nuk ka nevojë për të. Pra, a mund të zhvillohet një vend me investime për të cilat ai nuk ka nevojë për to? Logjika më e thjeshtë të thotë jo. Praktika botërore nuk njeh raste të tilla, ku një vend është zhvilluar mbështetur në oferta të pakërkuara. PD-ja po e çon vendin në këtë hulli, dhe kjo është thjesht një ndryshim për keq. Duke abstraguar situatën e pranimit të ofertave të pakërkuara për arsye të përfitimeve personale të qeveritarëve dhe njerëzve të tyre, që haptazi duket se ekziston, le të fokusohemi në logjikën ekonomike të rasteve në Shqipëri. Pse duhet Shqipëria të pranojë ofertat e pakërkuara për të ndërtuar në bregdetin e saj një central energjetik në Lezhë, një park energjetik në Porto Romano, një park energjetiko-eolik në Karaburun, që gjithsej arrijnë së bashku një kapacitet të instaluar prej 2500 MW, kur Shqipërisë për disa vite i mjafton një shtesë prej 500 MW, të cilat do të sigurohen prej ndërtimit të hidrocentraleve në pjesën kontinentale të vendit? Taksat që do të marrë Shqipëria nga këto vepra energjetike të pakërkuara në bregdet, a janë më të mëdha sesa do të ishin të ardhurat nga investime të kërkuara prej qeverisë shqiptare në turizëm, apo industri të tjera që të përdornin me leverdi potencialet natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë? Po dëmi në mjedis që sjellin këto vepra, a e ndryshojnë për mirë apo për keq pjesën më vitale të vendit? Po punësimi është më i madh në ofertat e pakërkuara për vepra energjetike, apo nëse do të kërkohej zhvillimi i degëve të ekonomisë që thithin fuqi punëtore më të madhe?
Këto ditë ethesh elektorale, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit, ashtu heshturazi filloi procedurën për dorëzimin e ofertave për “Dhënien me koncesion të portit të kontejnerëve në Pyllin e Sodës, Vlorë”. U paraqit vetëm kompania që pati bërë propozimin e pakërkuar për koncesion. Kjo kompani kërkon dhe mbi 500 ha tokë si zonë të lirë industriale midis Pyllit të Sodës e lagunës së Nartës. Përsëri strategjia e zhvillimit të Shqipërisë parashikon vetëm zgjerimin e portit të Durrësit dhe jo një port të ri në Vlorë. Nga ky port që do të kthejë në fushë kontejnerësh Pyllin e Sodës e do të jetë dy herë më i madh se porti i Pireut në Greqi dhe 200 herë më i madh se porti i Durrësit (madhësia e vitit 2005), i bie që mesatarisht të niset një kamion në çdo 10 sekonda, ose do të startojnë 10.000 kamionë në ditë. A është ky një ndryshim? Sigurisht që po, madje një ndryshim i stërmadh. A është ndryshim në drejtimin e duhur? Sigurisht që jo! Mjafton të themi se milionat e parave të shqiptarëve që kanë investuar për turizëm dhe për jetesë në Gjirin e Vlorës do të zhvleftësohen në mënyrë drastike, si rrjedhojë e ndotjes së madhe të pritshme të detit e të ajrit.
Një ndryshim i jashtëzakonshëm u nënshkrua në këto ditë marramendëse me lista deputetësh. Qeveria vendosi që t’i kalojë një kompanie siciliane sipas ofertës së saj të pakërkuar, 100 ha tokë në Karaburun e Llogora, duke ndryshuar jetën për keq jo vetëm të pronarëve shekullorë të zonës që iu grabitet prona, por edhe të mijëra njerëzve që kanë ndërtuar jetën në hapësirën turistike me vlera të larta përballë Karaburunit, do të depresoheshin nga një gjë e paparë në një vend tjetër të botës. Vija e sipërme e horizontit të Karaburunit do të deformohej përbindshëm me mbi 200 kulla çeliku nga 117 metra të larta dhe me helika me diametër 80 metra. Nuk po flasim këtu për ndryshimin e ekosistemit që vlerësohet si një perlë e rrallë e Mesdheut, ku njerëzit duhet të harrojnë derrin e egër, gjelin e egër, dhinë e zezë të Dukatit, mjaltin e kullotës së Karaburunit e të tjera në zhdukje.
Shqipëria nuk ka nevojë për fabrika çimentoje, por ofertat e pakërkuara për to miratohen. E njëjta gjë për parqet industriale, deri dhe koncesione të pakërkuara për të mbjellë ullinj. Partia Socialiste pretendente për të qenë forcë qeverisëse në 4-vjeçarin e ardhshëm, edhe pse po prezanton disa politika të reja që tregojnë ndryshim, duket se nuk e ka të qartë se në ç’drejtim shkon ky ndryshim, apo wdhe më keq, e fsheh atë. A është Partia Socialiste dhe z. Rama me ndryshimin e PD-së dhe të Berishës, për t’ia lënë në dorë zhvillimin e vendit ofertave të pakërkuara, apo është për një ndryshim të kërkuar nga qytetarët e këtij vendi? Z. Rama, në këtë çështje themelore në fjalimin e tij tepër elokuent të së shtunës së kaluar, mbeti te pellgu i ndryshimit të stilit të Berishës me “teknologji” e me “standarde”. “Është koha që ndryshimi të ndodhë jo për të fituar politikanët, por për të mos humbur përsëri qytetarët”, - tha bukur Rama. Por nuk mund të mos kujtosh sesi i humbi PS-ja qytetarët e Vlorës në vitin 2005, teksa i injoroi ata në vendimmarrjet për ofertat e pakërkuara për “Petroliferën” e TEC-in. PS-ja rrezikon t’i humbasë qytetarët e Vlorës përsëri, teksa Rama deklaroi me vendosmëri së fundmi në Vlorë, se do ta ndërtojë portin (evropian) në Vlorë. Për vendimin poshtërues e shkatërrues të qeverisë për dhënien e Karaburunit sicilianëve mungon deklarimi nga Rama, që natyrisht nuk mund të jetë thjesht deklarim. Qytetarët e Shqipërisë sot nuk kërkojnë çfarëdo ndryshimi, por ndryshim në drejtimin e duhur. Dhe drejtimi i duhur i ndryshimit mund të bëhet vetëm nëse vetë qytetarët bëhen realisht pjesë e vendimmarrjes. Këtu duhet të fillojë ndryshimi.





Ska anëtarë që kanë komentuar " Politika e ndryshimit dhe koncesionet me ofertë të pakërkuar "
Merr kommente rss ose TrackbackDërgo Koment